Përdorimi i fjalorit fyes në Parlament ndaj grave deputete ngjalli debat në seancën e sotme parlamentare në të dyja kampet.
Duke marrë shkas nga një reagim i djeshëm me deputeten e opozitës Jorida Tabaku, ministrja Belinda Balluku tha sot se përse Partia Demokratike nuk ka reaguar në të njëjtën mënyrë kur ministret socialiste janë ofenduar nga deputeti Agron Gjekmarkaj dhe krydemokrati Lulzim Basha.
Fjalën më pas e mori deputetja e PD, Grida Duma, e cila i kërkoi kolegut të saj Agron Gjekmarkaj që të kërkojë ndjesë nëse ka përdorur fjalën “harem” jashtë kontekstit.
Belinda Balluku: Ka dy ditë që zgjat një çështje që fatkeqësisht ju nuk ishit këtu kur unë fola dje. Zonja Açka, meqenëse po flasim mes zonjash dhe po flasim për etikën, nuk kam parë askënd nga ju, asnjërin nga ju këtu, zonja Duma me shumë respekt për të gjithë ju, kur na është drejtuar z.Gjekmarkaj dhe na ka thënë që ishim haremi i Ramës, keni fakte që jemi haremi i Ramës? Apo edhe ai ofendoi por ju nuk reaguat zonja të nderuara? Kur kryetari juaj në seancën e parë të këtij Parlamenti është kthyer me gisht dhe na ka thënë që ishim këtu si kukulla dhe kishim nga pas kriminelë dhe oligarkë. Nuk kam parë asnjërën nga ju të reagonte dhe më çudit shumë ky reagimi sot. Vazhdoni të majisni një çështje që duhet të biem dakord midis nesh, nuk duhet të ofendohemi më. Ne kemi ardhur këtu si deputet të Republikës së Shqipërisë, kemi ardhur me vota, kemi dalë atje në fushatë dhe secili nga ne është vlerësuar me vota. Këtu nuk ia vlen më që të bëjmë një bisedë u goditën gratë e u goditën burrat. Këtu jemi të gjithë njësoj. Askush nuk duhet të ofendojë askënd, por unë nuk e mbaj mend askënd nga ju t’i thoshte z.Gjekmarkaj që ne nuk jemi haremi i askujt. Ne jemi gra, jemi nëna, jemi motra, kemi prindër në shtëpi, i kemi të sëmurë nëpër krevate, dhe janë detyruar që të dëgjojnë nga gjërat më të poshtërta në këtë Parlament. Unë ju mbështes shumë, por ama nuk ju kam parë të acaroheni kaq shumë për ne, apo s’ka gjë. Ne mund të jemi harem, kurse juve duhet t’ju ruajmë dhe të ndizni këtë lloj retorike ndërkohë që po flitet për buxhetin.
Grida Duma: Po i drejtohem publikisht z.Gjekmarkaj në qoftë se e ka përdorur këtë harem, t’ju kërkojë ndjesë, publikisht, t’ju kërkojë ndjesë publikisht, në qoftë se harem është një çështje që e ka përdorur jashtë metaforës dhe pa kontekst, t’ju kërkojë ndjesë, po e them qartazi plotësisht. Në të njëjtin duel që na ftove, do çohesh dhe do thuash, ndjesë zonja Duma që Kryeministri ju përdori foton për fushatë? Do çohesh dhe do thuash se je vonë, ka ndodhur në Prill apo më përpara. Pse s’u çuat juve se dhe unë ju respektoj.
Deputeti Gjekmarkaj mori fjalën dhe shpjegoi se ky term është përdorur si koncept politik.
Agron Gjekmarkaj: Ulu mor, ça ke si kukull.
Dua t’i shpjegoj zonjës ministre që e kam pasur si koncept politik qe shfaqet edhe te Iliada e Odiesa dhe Dante Aligeri jo në kuptimin e haremit të mirëfilltë të afrimiteve erotiko seksuale të sulltanëve, por si koncept politik.
Balluku: Po çfarë thua mo?!
Agron Gjekmarkaj: Të lutem, foli Edi Ramës dhe kujt të duash me atë ton jo mua.
Deputetët e PS qeshin
Bardhyl Kollçaku (duke qeshur): Po kështu flitet?
“Pusho mor ti derrkuc”, i drejtohet Gjekmarkaj deputetit socialist Bardhyl Kollcaku
Erion Braçe: Kujt i drejtohesh ti ashtu more idiot
Lindita Nikolla: Mos vijoni me fyerje në sallë.
Agron Gjekmarkaj: Lexo më shumë libra dhe numëro më pak para e kuptoje ça është koncepti i haremit politik.
Lindita Nikolla: Sërish nuk kërkuat ndjesë dhe kjo është e trishtë.
Agron Gjekmarkaj: E shpjegova.
Belinda Balluku: Atëherë zoti Gjekmarkaj ju vetëm vërtetoni atë që thashë për ju.
Ju morët dhe argumentuat dhe pse e keni bere një gjasme falje publike pasi iu hodh opinioni në kurriz thoni që është metaforë normale. Unë nuk dua ti futem metaforave se nëse është normalitet haremi, dhe ju duhet ta keni ndonjë grua në familje, në mos nuk keni vajzë, keni grua, keni motër, nënë, është normale për ju tua quajnë harem? Nëse këtë e keni normalitet në familjen tuaj ne do e pranojmë me kënaqësi këtë gjë.