Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e konsideron mjaft të rëndësishëm për vendin tonë, mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Balluku u shpreh se nesër në Tiranë do të jetë skena më e madhe politike e Europës.
Ajo bëri të ditur se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të mbërrijë sonte në kryeqytet.
Lidhur me protestën që do të orgnanizojë Partia Demokratike, Balluku nënvizoi se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
“Do të jetë Presidentja Osmani, e cila mbërrin sonte. Një pjesë e delegacioneve mbërrin sot në Shqipëri. Më shumë se 14 krerë shtetesh vijnë sot, duke nisur nga pasditja deri në darkë vonë. Edhe Presidentja e Kosovës do të jetë prezente, duke aksesuar Tiranën që sonte. Në Tiranë, gjatë 48 orëve të fundit, janë akredituar më shumë 730 gazetarë të huaj, vëmendja do të jetë e përqëndruar në Tiranë nesër. Ky është eventi më i madh që ka ndodhur në Ballkanin Perëndimor.
Unë nuk e di, besoj se është supozim nga ana jote nëse gazetarët do të kenë kohë nesër që të merren me një protestë diku nëpër rrugët e Tiranës, ndërkohë që në Tiranë, nesër është skena më e madhe politike e Evropës. Duke thënë këtë, besoj se e kupton dhe ti, e kuptojnë të gjithë se sa sekonda do të harxhohen. Pastaj, protestat janë një normalitet i plotë. Kujtoj mbledhjet e G-7 apo të G-20 ku ka gjithmonë protesta dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, theksoi ajo.
Balluku tha se beson se delegacioni serb do të jetë në Tiranë për të marrë pjesë në samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.
“Në dijeninë time dhe ashtu siç është thënë orët e fundit, unë besoj qe edhe delegacioni serb do të jetë në Tiranë. Do të ketë bisedime midis palëve, ka një interes nga disa nga liderët e BE-së për të pasur edhe tryeza të përbashkëta midis vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara çdo bisedim që ka qenë në fokus dhe në qendër të vëmendjes. Unë besoj që do të jenë të gjithë në Tiranë”, u shpreh Balluku.
Nesër në Tiranë pritet të mbërrijnë 27 liderë të Bashkimit Europian dhe 5 liderë të Ballkanit Perëndimor.
E pranishme në këtë samit pritet të jetë Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian Charles Michel.
Policia e Shtetit ka ndërmarrë një së masat për zhvillimin e samitit, ndërkohë që opozita ka paralajmëruar nesër edhe protestë.