Ekonomi Balluku: Rritje pagash për këto profesione në administratë

Balluku: Rritje pagash për këto profesione në administratë

Pagat në administratë për disa profesione si teknologji-informacioni, jurist, inxhinier apo ekonomist do të rishikohen me qëllim që të bëhen konkurrente dhe që të tërhiqen drejt administratës publike ekspertët më të mirë.

Për këtë qëllim, qeveria miratoi sot në mbledhjen e radhës projektligjin “Për qeverisjen elektronike”.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se, “ky pr/ligj vjen në kuadër të zhvillimeve elektronike që vendi ka pasur, dixhitalizimit të proceseve dhe shërbimeve, por edhe për të rregulluar një pjesë të mirë të sektorit, sa i përket marrëdhënieve të kompanive shtetërore dhe atyre private”.

“Qeveria ka nisur një studim të plotë të tregut sa i përket profesioneve të veçanta, që lidhen me zhvillimet teknologjike apo dixhitale, si punonjësit e AKSHI-it, AKCESK apo ASIG që shumë shpejt do të arrijnë të menaxhojnë edhe imazherinë e dronëve dhe satelitëve por pa lënë mënjanë juristët, inxhinierët që sot në tregun privat apo ndërkombëtar trajtohen në forma të ndryshme”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.

Punonjësit e IT, por edhe inxhinierët, juristët apo financierët, tha Balluku, sot në tregun privat marrin paga më të larta se ato në administratën publike.

“Për të hapur këtë treg dhe bërë të konkurrueshëm edhe brenda administratës shtetërore ne do të na duhet të bëjmë rregullime ligjore, ku përfshihet edhe mënyra e trajtimit. Sot në treg, ne konkurrojë në këto profesione, në mënyrë shumë të vështirë për shkak të nivelit të ulët të pagave me sektorin privat”, tha Balluku.