Pas 11 vitesh menaxhim nga privati, shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve do të ofrohet sërish nga shteti. E ftuar në emisionin ‘Përballë’ të gazetarit Lutfi Dervishi, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët do ta marrin këtë shërbim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor.
“Koncensioni i SGS -së mbyllet në vitin e 11-të pasi ka pasur 10 vite dhe kemi bërë një shtesë 1 vjeçare thjesht për t’i dhënë kohë manaxhimit të ndryshuar. Nga 1 janari 2021 do të kemi një qasje të re mbi kontrollin teknik të automjeteve.
Unë nuk jam këtu për të gjykuar koncensionet e para 10 viteve. Kalimi i këtij shërbimi edhe njëherë tek DPSHTR-ja është gjëja më e mirë që shteti mund të bëjë. Përmes drejtorisë së transportit rrugor shërbimi do të ofrohet shumë më i mirë, çmimet do të jenë shumë më të ulta.” – tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës i hedh poshtë akuzat se kjo lëvizje i hap rrugën një koncensioni të ri. Ajo thotë se pas kalimit të këtij shërbimi në duart e shtetit do të nis puna për liberalizimin e tregut.
“Pas janarit ne do të merremi menjëherë edhe me liberalizimin. Nuk ka asnjë parashikim për të pasur një koncensionar tjetër. Nëse do të kishte një koncension tjetër do ta vazhdonim menjëherë.” – theksoi Balluku në ‘Përballë’.