Ekonomi Balluku shpjegon vendimin ‘kontradiktor’ të ERE për miratimin e fashës 800 kWh

Balluku shpjegon vendimin ‘kontradiktor’ të ERE për miratimin e fashës 800 kWh

Në fletoren zyrtare është botuar akti i Entit Rregullator të Energjisë për fashën mbi 800 kWh. Sipas vendimit, kjo fashë ka filluar zbatimin që në datën 1 tetor deri më 31 dhjetor 2022.

ERE e bëri të qartë se kjo fashë vijon të jetë në fuqi dhe publikimi në Fletoren Zyrtare konfirmon aktin e Entit Rregullator të Energjisë.

Publikimi në fletoren zyrtare mban datën 30 shtator 2022, ndërsa online u bë mesditën e sotme.

Ndonëse kryeministri ka njoftuar se vendimi nuk do të ishte i zbatueshëm për muajin tetor, në Fletoren Zyrtare është botuar akti i Entit Rregullator të Energjisë për fashën mbi 800 kWh, fashë që sipas ERE ka filluar zbatimin që në datën 1 tetor deri më 31 dhjetor 2022.

Kjo kontradiktë në dukje u shpjegua më mirë nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të vendimeve të marra nga ekzekutivi pas mbledhjes së qeverisë.

“Fasha 800 kWh për të cilën shprehet ERE është për çmimin, sepse kjo është detyra e saj. Pra çmimi miratohet, dhe këtu mbaron fusha e ERE, por qeveria ka të drejtën, duke parë reshjet dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, të aplikojë ose jo atë fashë. Gjatë muajit tetor nuk do ta aplikojmë fashën”, deklaroi ajo.

Balluku njoftoi edhe për një iniciativë që synon uljen e konsumit në institucionet shtetërore. “Të gjitha institucionet shtetërore duhet të kursejnë 15% më pak relativisht me faturën e një viti më parë, që ekuivalentohet me 1% të energjisë së konsumuar në total gjatë një muaj, ose 3.4 miliardë lekë. Do të fusim menjëherë emërimin e një Administratori Energjetik, një punonjës i institucionit që do të ketë si target këtë ulje për ndërmarrjen që përfaqëson. Nëse nuk do të arrihet targeti për 2 muaj rresht, masa shkon deri në 50 mijë lekë gjobë për administratorin ose përgjegjësin”, deklaroi Balluku.

Ministrja shtoi se nga 1 deri në 18 tetor Agjencia e Eficencës së Energjisë ka hapur garën me subjektet e interesuara ndërtuese për instalimin e 2 mijë paneleve diellore për ngrohjen e ujit. Objektivi i qeverisë është që brenda vitit 2023, të jenë rreth 23 mijë panele që përdoren nga konsumatorët, duke ulur koston e energjisë.