Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ministrja Belinda Balluku ka theksuar fokusin që qeveria ka për energjinë elektrike.
Teksa renditi disa arritje në këtë sektor, Balluku deklaroi se në datë 11 dhe 12 Prill do të lançohet publikisht përmes një ankandi bursa shqiptare e energjisë elektrike.
“Kemi përmbushur shumë kërkesa, siç është ndarja e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, liberalizimi i pjesshëm i tregut të energjisë elektrike, krijimi i bursës shqiptare e cila gjej rastin që ta deklaroj këtu, tashmë është funksionale. Në 11 dhe 12 Prill do të kemi dy ankande live dhe e kemi lënë ta lançojmë në publik përmes një procesi të vërtetë, është pritur shumë kohë për këtë bursë, do jetë dita kur publiku do njihet me të. Shqipëria do jetë aktive në investimin përsa i përket linjave të transmetimit. Nëse sot kërkohet energji e rinovueshme, nëse Shqipëria ka synimin që të bëhet eksportuese neto e energjisë elektrike deri në vitin 2029, ajo çka kërkohet është sëbashku me investimet për shtimin e kapaciteteve prodhuese, është fuqia transmetuese.
Shqipëria ka nisur një proces të përbashkët me Maqedoninë e Veriut dhe shumë shpejt linja e transmetimit “Bitola” që çon energjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të Bullgarisë dhe vendeve të Detit të Zi do të jetë aktive. Kemi një marrëveshje dhe me shtetin grek për trefishimin e kapaciteteve të përcjellësit. Këto janë projekte rajonale të nisura, të vëna në shinat e bashkëpunimit, që tregojnë se procesi i Berlinit sot ndodhet në pozitën më të mirë se kurrë, pa përjashtuar këtu dhe Ballkanin e Hapur. Të gjitha këto projekte do jenë shpejt të prekshme duke thënë impakt në rritjen ekonomike në të gjitha vendet e rajonit që janë përfshirë.”
Ministrja foli dhe për sfidat në përmbushjen e objektivave në sektorin energjitik, ku nënvizoi se mbështetja financiare e BE-së ndaj këtyre projekteve duhet të jetë më e madhe dhe se proceset nuk duhen zgjatur, pasi sipas saj ndikon në marrjen e kredive.
“Dua të ndalem pak tek sfidat, sepse flasim gjithmonë për arritjet, por duhet pasur parasysh që pjesë e Procesit të Berlinit janë dhe institucione të rëndësishme të BE-së. Përsa i përket mbështetjes financiare, është e pamjaftueshme dhe e ngadaltë dhe ky është vendi i duhur ta ndajmë me ju këtë problematikë. Po të shohim sa para vijnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me shtetet e tjera, ndryshimi është i madh. Edhe pjesa e stërzgjatur e këtyre proceseve ka një impakt direkt në projektet.
Përshembull Bypassi i Tiranës u zgjat më shumë se 6 vjet, 36 milionë lekë diferencë sot prej rritjes së çmimeve të produkteve të ndërtimit, si kredi, u rritën kostot e projektit. Pra, vonesat që aplikohen në financimet e buta, japin ndikim direkt në marrjen e kredive dhe uljen e granteve që vijnë nga këto kredi.
Për qeverinë shqiptare procesi i Berlinit është nga proceset më të rëndësishme dhe nuk do të reshtim ta kemi prioritet në axhendën tonë, edhe vetë prezenca e Komitetit sot tregon se vetëm me bashkëpunim ne do ja dalim për të realizuar të gjitha objektivat”.