Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga foltorja e Kuvendit iu përgjigj deputetëve të opozitës lidhur situatën e krijuar në uzinën e Ballshit si dhe nënstacionin elektrik të Poçemit, ku pagat e prapambetura ishin arsyeja, që disa prej punonjësve të uzinës dhe nënstacionit të organizuan një grevë disa ditore.
Ministrja Balluku bëri të ditur se e gjithë problematika e krijuar në uzinën e Ballshit dhe nënstacionin e Poçemit lidhet me privatizimin e uzinës në vitin 2008 nga qeveria e asokohe dhe se sot shteti shqiptar nuk ka asnjë aksion në këtë uzinë.
Edhe pse shteti nuk ka asnjë përgjegjësi, Balluku tha se gjatë gjithës kohës janë zhvilluar takime me përfaqësues të naftëtarëve, duke bërë rolin e koordinatorit mes punonjësve dhe firmës, që ka marrë me qira uzinës, dhe në saj të ndërhyrjes, kompania ju kaloi punonjësve një pjesë të pagave.
“Jemi marrë çdo ditë pa pasur përgjegjësi për këtë. Por ne kemi përgjegjësinë sociale dhe e ndjejmë shumë, më shumë nga ç’mendoni ju. U morën pagat me ndërhyrjen tonë. Ne luajmë rolin e koordinatorit pa pasur asnjë përfshirje në këtë histori. I detyruam “Tosk”-un dhe “Bylis”-in të paguanin 6-pagat për Poçemin dhe 3 paga për punonjësit e uzinës së Ballshit”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cilësoi si të turpshëm dhe të çuditshëm privatizimin e bërë në vitin 2008, duke sjellë në vëmendje faktin se në privatizimin e asokohe është përfshirë edhe nënstacioni, që furnizon me energji elektrike dhe ujë të pijshëm zonën.
“Në 2008-ën është bërë privatizimi më i turpshëm dhe më i çuditshëm që është parë ndonjëherë. Ata burrat e Poçemit, që ishin në grevë, sot kanë dale sepse morën pagat, por është një situatë që mund të krijohet sërish. E dini pse? Sepse kanë punuar 6 muaj dhe nuk kanë marrë 6 paga. Edhe kur uzina u mbyll në fund të shtatorit ata kanë vazhduar të punojnë sepse ata punojnë për t’i dhënë energji elektrike zonës dhe për t’i dhënë ujë zonës. Por, qeveria e 2008-ës vendosi që si nënstacionin elektrik që nuk i jepte vetëm energji uzinës, por dhe banorëve atje, edhe stacionin e pompave të ujit t’a privatizonte së bashku me uzinën, pa e vrarë mendjen për pasojat që do të kishim”, theksoi Balluku.
Sa i takon statusit të naftëtarëve, ministrja Balluku bëri të ditur se nga 1400 dosje, brenda një viti janë procesuar mbi 1 mijë, teksa shtoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke ndërmarrë të gjitha ndryshimet e fundit, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dërguar draftin për të nxjerrë të gjitha aktet nënligjore që duhen për këtë proces.
“Nga 1400 dosje janë procesuar vetëm brenda këtij viti 1 mijë dhe unë për këtë sinqerisht ndihem mirë, sepse është një proces që po shkon me hapa të shpejtë drejt fundit. Çfarë problemesh kemi me dokumentacionin, ju e dini shumë mirë. Janë arkiva të vjetra, janë arkiva që nuk kanë qenë asnjë ditë të automatizuara. Na duhet patjetër, që t’i hapim rrugë një automatizimi dhe një dixhitalizimi të këtyre arkivave, sepse do duhen dhe më vonë”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ju përgjigj edhe shqetësimit të ngritur nga deputetët sa i takon investimeve në sektorin energjetik. Balluku solli në vëmendje se 76.5 milionë euro janë investuar gjatë vitit 2019 në përmirësimin e rrjetit shpërndarës së energjisë, ndërkohë që qeveria e kaluar në vitin 2013 investoi vetëm 490 mijë euro.