Ekonomi Balluku sqaron arsyet përse u arrit tani që të ulet çmimi i...

Balluku sqaron arsyet përse u arrit tani që të ulet çmimi i energjisë elektrike

Zv/Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku sqaroi arsyet përse u arrit tani që të ulet çmimi i energjisë elektrike për abonentët familjarë nga 1 Shkurti 2025.

Në një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin Edi Rama, Balluku bëri me dije se faktori i parë i rëndësishëm ka të bëjë me uljen e humbjeve në rrjet.

Arsyeja e dytë, sipas Ballukut, ka të bëjë me pagesat e rregullta të energjisë.

“Pse ulet çmimi? Nëse do krahasonim me 10 vite më parë, të gjitha çmimet janë rritur me 30%. Ndërkohë që çmimi i energjisë në Shqipëri sot marrim vendim të rëndësishëm për ta ulur atë. Kjo vjen për shkak të performancës së sektorit. Ja kemi dalë pasi kemi përmbushur një nga kushtet teknike më të rëndësishme, që është ulja e nivelit të humbjeve duke e çuar në 17,93% krahasuar me 46% që ka qenë në vitin 2012. Të gjitha proceset e investimeve që kemi sot do na sjellin në një humbje të mëtejshme. 1% ulje korrespondon me 7 milionë Euro kursim në vit për OSHEE.

Ky ka qenë elementi i parë. Një element tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me normën e arkëtimit, që ka ardhur në rritje. Në 2012-2013 norma e arkëtimit ishte 65% e energjisë të shitur, jo të prodhuar. Duke mos harruar faktin se 46% e energjisë shkon në humbje. Vetëm 65% e pjesës së mbetur, e 55%-it që tregtohej, arrihej që të mblidhej në të ardhura”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Energjetikës theksoi se Shqipëria synon të vijojë të qëndrojë si lider në rajon sa i përket burimeve energjetike të rinovueshme.

“Shqipëria nuk ka në plan që të humbasë vendin e parë në Ballkan sa i përket energjisë së rinovueshme. Ne kemi luftuar dhe synojmë që të vazhdojmë të jemi kampionët e Ballkanit sa i përket prodhimit të energjisë së rinovueshme por tashmë përmes një portofoli të diversifikuar. E kemi nisur këtë proces në 2019, por sot performanca e një burimi të ri, atij fotovoltaik është e kënaqshme dhe parashikimet tona janë që në 2 vitet e ardhshme të rritet dhe të kapërcejë 1 gigavat. Kemi nisur punë për një tjetër burim, që është ai i energjisë eolike që kërkon më shumë kohë. Çka është e rëndësishme për ne është pavarësia energjetike. Ne synojmë të bëhemi vend eksportues neto brenda 2029 duke ruajtur kapacitetet tona”, u shpreh Balluku.