Ngjarja tragjike e 26 nëntorit, ku si pasojë e lëkundjeve të shkaktuara nga tërmeti humbën jetën 51 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën rreth 1000 të tjerë, përveç të tjerash ka nxjerrë në pah edhe domosdoshmërinë, për një ndërhyrje urgjente në sistemin e ndërtimit.
Deklarata është bërë sot në seancën plenare të Kuvendit nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998, ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’, të ndryshuar”.
Duke marrë fjalën ministrja Balluku theksoi se ngjarja tragjike e 26 nëntorit ka treguar qartë se duhet të ndërhyjmë menjëherë në sistemin e ndërtimit, në bazën ligjore, në procedurat zbatuese, por dhe në marrjen e masave administrative e penale ndaj shkelësve të ligjit. Sipas ministres projektligji i propozuar saktëson detyrat dhe përgjegjësitë e investitorit, zhvilluesit, organeve licensuese dhe atyre audituese.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm, që ky projektligj sjell, është edhe auditi teknik i detyrueshëm i ndërtesave, që janë ndërtuar mbi 50 vjet përpara.
“Kemi identifikuar që një pjesë e mirë e ndërtesave të ndërtuara para viteve ’70-të kanë jo më qëndrueshmërinë e mëparshme. Disa prej tyre, të ndërtuara në kushtet e punës vullnetare apo pa studime të mirëfillta, sot kanë marrë goditje dhe dëme, të cilat pavarësisht se nuk janë të dukshme duhet të auditohen menjëherë për të krijuar kështu një mundësi parandalimi të çdolloj tragjedie tjetër në të ardhmen”, theksoi ministrja Balluku.
Në mbyllje të fjalës së saj ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar mbështetjen e deputetëve, për t’a votuar projektligjin, i cili do të ndihmonte Qeverinë në procesin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti, por njëkohësisht do ta vendoste gjithë sistemin e ndërtimit në baza më të forta ligjore për të ardhmen.