Zv.kryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, inspektoi punimet në lotin e 6 të unazës së madha, e cila lidh zonën e Dajtit.
Sipas ministres Balluku deri më tani janë kryer mbi 70% e punimeve të unazës, ndërkohë që në këtë lot, për të shmangur prishjen masive të banesave gjurma e punimeve ka ndjekur përroin e Gjerozës.
Balluku e vendosi theksin tek ritmi i punimeve për të bërë të mundur finalizimin në kohë të kësaj vepre të rëndësishme, jo vetëm për kryeqytetin. Në fund të vitit, tha Balluku, e gjithë vepra, ashtu sikundër është premtuar, duhet të jetë gati dhe e aksesushme.
“Ne kemi vendosur një afat për të gjithë Unazën, e cila duhet të përfundojë brenda këtij vitit. Ndaj është shumë e rëndësishme, të kemi një koordinim mes palëve duke qenë se këtu kemi disa lote që punojnë njëkohësisht”, u shpreh Balluku.
Sipas Ballukut, përfundimi i Unazës së Madhe do të sjellë një reduktim të ndjeshëm të trafikut në Tiranë, ndërkohë që do të lidhet dhe më të gjitha akset që lidhen me kryeqytetin.
Zhvendosja e linjave të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë ka qenë një tjetër sfidë në këtë projekt, ku OST dhe OSSH kanë pasur një rol të rëndësishëm dhe kanë ndërhyrë shpejt për të mos krijuar vonesa në ecurinë e kantierit.
Segmenti do të jetë i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë e lartë, ndërsa do të ketë pjesë të tij edhe elementet urbanë, gjelbërim, ndriçim.
“OSSH-ja dhe OST-ja kanë pasur një rol të rëndësishëm në të gjithë pjesën e dytë të unazës, nga ‘Shqiponja’ dhe deri në rrethrrotullimin e Dajtit, që më pas lidhet edhe me pjesën tjetër, atë të segmentit që lidhet me zonën e Bërrylit. I është dashur si Operatorit të Transmetimit, ashtu edhe Operatorit të Shpërndarjes që të jenë pjesë e grupeve të punës për të lëvizur disa nga linjat kryesore, si ato të transmetimit dhe ato të shpërndarjes, dhe madje edhe duke i përmirësuar ato. Aty ku i kemi pasur ajrore i kemi kaluar nëntokësore me ABC. Ky bashkëpunim ka qenë i shkëlqyer, nuk na ka krijuar fare vonesa dhe duhet thënë që është shumë e rëndësishme në raste të tilla që të gjithë komponentët të koordinojnë”, nënvizoi Balluku.
Loti 6 ka një gjatësi prej 1.3 kilometrash dhe nis pas rrethrrotullimit të rrugës Tiranë-Dajt. Aksi është vendosur në shtratin e përroit, i cili është përfshirë brenda një koletori betonarme.