Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se të gjithë kontrollorët që kanë braktisur detyrën dhe që ndodhen në godinën e sigurisë së lartë në aeroport do të nxirren nga godina. Ajo deklaroi se Forcat e Armatosura do të marrin nën kontroll ndërtesën e sigurisë së lartë të AlbControl.
“Për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të kryera deri më tani na lind e drejta të humbim besimin tek ju. Është humbur besimi nga disa prej jush dhe nga momenti që kryet këtë veprim mund të kryeni aksione të tjera të rrezikshme për hapësirën shqiptare. Nga ky moment ndërtesa do të merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe policia do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë”, tha Balluku.
Ministrja u shpreh se një pjesë e kontrollorëve janë kapur nga politika për shkak të të fushatës. Balluku sqaroi se kontrollorët kanë braktisur detyrën dhe këtë e kanë bërë në mënyrë të paligjshme. Ajo sqaroi se fakti që operatorët qëndrojnë përpara kompjuterit nuk do të thotë se po kryejnë funksionin.
“Një pjesë e vogël e tyre është kapur nga politika dhe për shkak se ndodhemi në fushatë kanë futur duart mjeshtrat e politikës. Sot një çetë ka marrë e ka bërë plaçkë trafikun ajror. Qëndrojnë brenda ndërtesës ata që kishin turnin sot që të mos i quhet braktisje e vendit të punës. Për braktisjen e vendit tuaj të punës është dëshmitare e gjithë Shqipëria. Që ju keni braktisur punën është dëshmitarë e gjithë Shqipëria, dhe nuk do ju ndihmojë dot askush për këtë braktisje të paligjshme të detyrës. Përsa kohë është mbyllur Aeroporti i Rinasit për shkak të mos operimit tuaj, ju nuk po e kryeni detyrën tuaj kështu që nuk jeni në detyrë dhe është e pavlefshme që të qëndroni në godinë. Nga ky moment për sigurinë e Republikës, për shkak të të gjitha angazhimeve që kemi tek partnerët tanë dhe duke qenë se fatkeqësisht kontrollorët e trafikut ajror që kanë marrë përgjegjësinë kanë vendosur as të mos bëjnë detyrën, për këtë arsye një ndërtesë e sigurisë së lartë nuk mund të qëndrojë në duart e personave që nuk janë të lidhur më me kontrollin ajror. Ata persona që nuk operojnë më dhe nuk kryejnë funksione, do të largohen nga ndërtesa duke filluar nga ky moment”, tha Balluku.
Balluku pati një thirrje edhe për kontrollorët që duan t’i rikthehen detyrës.
“U them kontrollorëve që duan të kryejnë funksionet e tyre të kthehen në detyrë, dhe t’i jepni mundësi shtetit shqiptar që të sjellin vaksinat për ata që janë të sëmurë. Jeni të lutur të gjithë ju që nuk jeni pjesë e mashave të politikës që të qëndroni dhe të deklaroni që jeni të aftë për punë. Të gjithë të tjerët që nuk duan të operojnë dhe nuk operojnë, por qëndrojnë nëpër karrige që të mos quhet braktisje detyre po ua përsëris që detyra është braktisur para 3 milionë shqiptarëve. Keni kyçur derën e vetme që është kontakti i shqiptarëve me botën. Nuk keni vënë as atë tabelën kthehem sot sepse sot AlbControlin e turpëruar dhe e kthyet në dyqan. Nga institucioni i nderuar i politikës e kthyer AlbControlin në një dyqan lagje që mbyll qepenat kur do”, tha Balluku.