Integrimi i teknologjisë fotovoltaike në tregun shqiptar po gjen një përhapje gjithmonë e më të madhe, si një mundësi veçanërisht për bizneset për të pasur një pavarësi energjetike, por njëkohësisht duke ndikuar drejtpërdrejtë edhe në uljen e kostove të prodhimit.
Udhëzimi i firmosur pak javë më parë nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i cili i hapi rrugë shkëmbimit të energjisë mes OSHEE dhe prodhuesve të energjisë nga panelet diellore për vetëpërdorim, tashmë ka nxitur shumë prej bizneseve që të investojnë në këtë drejtim për të mbuluar nevojat e tyre.
Në rajonin e Korçës, kompania “2AT” ka ndërtuar një prej impianteve fotovoltaike, i cili u vizitua nga ministrja Belinda Balluku, ku u njoh nga afër me investimin e realizuar dhe efektet e tij, sa i takon biznesit që po e aplikon atë.
“Ne prodhojmë rreth 400 mijë kilovat në muaj, prandaj dhe i spostuam investimet e linjave dhe u hodhëm në investimet për prodhimin e energjisë. Ky impiant ne na plotëson afërsisht 25 përqind të nevojave tona mujore”, bëri të ditur Nuci Shamia, administrator i kompanisë “2AT”.
Elton Çekrezi, CEO i kompanisë “EuroElektra”, kompani e licensuar për ndërtimin e impianteve fotovoltaike, sqaroi se që pas daljes së udhëzimit nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka pasur një rritje të kërkesave nga ana e bizneseve për të investuar në ngritjen e impianteve fotovoltatike por edhe një shtim të numrit të kompanive të cilat ofrojnë këtë shërbim.
“Sot ne flasim para një impianti, që është fakt me të gjithë normën dhe udhëzimin që ju nxorët. Pas atij udhëzimi, ne na janë rritur kërkesat për ndërtim impiantesh me 200 përqind. Ne si kompani presim vitin tjetër, të paktën 3-fishimin e xhiros vjetore si dhe shtimin e stafit me të paktën 2-fishin e asaj që kemi sot”, nënvizoi Çekrezi.
Ndërtimin e impianteve fotovoltaike nga bizneset, ministrja Belinda Balluku e cilësoi si një mundësi që sipërmarrësit të krijojnë pavarësi energjetike, e cila do të ndihmojë jo vetëm biznesin e tyre, duke i ulur kostot e prodhimit por njëkohësisht edhe shtetin shqiptar pasi do të ulet sasia e importit të energjisë në periudhën e thatësirës por duke ndikuar edhe në rritjen ekonomike të vendit si dhe nxitjen e punësimit.
“Për ne është shumë e rëndësishme, që ju të keni mundësinë e pavarësisë energjetike. Mundësia e pavarësisë energjetike i ul shtetit importet, që ne gjatë vitit i kemi të larta. Ky është problemi që kemi prej vitesh dhe që godet buxhetin e shtetit me rreth 100 milionë euro në vit, veçanërisht gjatë verës, kur dhe kushtet atmosferike nuk janë të favorshme për prodhimin e HEC-eve, mbi të cilën ne kemi bazuar të gjithë prodhimin shtetëror të energjisë. Për këtë arsye ne e nxisim autoprodhimin”, u shpreh Balluku.
Duke garantuar për mbështetjen dhe nxitjen e qeverisë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u bëri thirrje bizneseve, të cilat i kanë mundësitë financiare që të investojnë në këtë drejtim.
“Të gjitha kompanitë të cilat i kanë mundësitë financiare për të investuar në energji dhe për të krijuar një pavarësi energjetike do ta vazhdojnë këtë rrugë të mirë që kemi nisur. Sigurisht ju e keni mbështetjen e qeverisë dhe jo vetëm mbështetjen por dhe nxitjen. Autoprodhuesit përbëjnë tashmë një pjesë të rëndësishme të tregut dhe në bazë të kushteve ligjore dhe të gjitha kritereve që duhen përmbushur. Sigurisht, duhet të jemi të saktë përsa i përket kritereve dhe kushteve ligjore, absolutisht unë ju nxis dhe juve dhe gjithë bizneset e tjera që të krijojnë pavarësinë energjetike dhe të bëhen shembull për kompanitë e tjera”, nënvizoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh e gatshme për të nisur edhe një proces konsultimi mes të gjitha palëve sa i takon kapaciteteve të lejuara për autoprodhuesit, duke lënë të hapur edhe mundësinë e rishikimit të ligjit nëse pas konsultimeve do të gjykohet e nevojshme marrja e një mase të tillë.