Ish-presidenti Bamir Topi deklaroi sot se goditja e kryetarit të PD, Sali Berisha gjatë protestës nga 31-vjeçari Gert Shehu, la një shije të keqe në opinionin publik.
Topi tha se një ngjarje e tillë përbën një precedent të rrezikshëm përsa i përket qasjes së shoqërisë ndaj liderëve politik.
“Unë them që është e rëndë dhe e shëmtuar njëkohësisht. Fatmirësisht mbeti aty. Në një situatë të tillë, edhe një i ri fizikisht, i fortë, mund të kalonte shumë keq. La një shije shumë të hidhur, të keqe. Kjo tregon që në këtë shoqërinë tonë, pavarësisht asaj që po thuhet ndaj personalitetit të njeriut që goditi Berishën, shumë gjëra në shoqëri janë çoroditur”, tha Topi në emisionin “Frontline”.
Për ish-presidentin, një ngjarje e tillë duhet hetuar thellësisht nga organet përkatëse. Një kritikë, Topi e kishte edhe për truprojat e ish-kryeministrit.
Sipas tij, në raste protestash, truprojat e liderëve politik duhet të jenë vigjilent në çdo moment për të evituar raste të tilla.
“Njerëzit që e rrethonin Berishën, truprojat ishin gati të pavëmendshëm. Nuk do përshkruaj cilësitë e njerëzve që rrethojnë një lider dhe mbrojnë një lider politik. Ata që mbrojnë liderin, duhet të jenë shumë profesionistë. Një akt i rëndë dhune dhe i shëmtuar njëkohësisht. Fatmirësisht pa pasoja. Natyrisht çdo njeri ka fizikun e tij. Fatmirësisht që iku pa pasoja. Njeriu është një qenie biologjike. Kur kemi parë dhe boksierë të trajnuar që rrëzohen në ring”, tha Topi.
“E dënoj dhunën. Në rastin specifik, akoma më shumë. Bëhet fjalë për një ish-president, ish-kryeministër, një njeri që përtej karrierës ka dhe vite mbi supe. Dhuna është e dënueshme, por jemi mësuar të themi t’ia lëmë organeve për ta hetuar. Duhet një hetim i hollësishëm për këtë situatë. Me të vërtetë politika ka pasur situata të vështira, duket një precedent i rrezikshëm. Kemi kaluar vitet 97’ dhe 98’. Ka ndodhur dhe akte si vrasja e kryetarit të lëvizjes 90’”, përfundoi Topi.