Banka Botërore ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë do të shkaktojë goditjen më të madhe në ekonomi që nga vitet 1970.
Në një raport të ri, BB thotë se ndërprerja e furnizimeve e shkaktuar nga konflikti do të sjellë një rritje të madhe të çmimeve për mallrat, duke filluar nga gazi natyror deri te gruri dhe pambuku.
“Rritja e çmimeve ka filluar të ketë efekte shumë të mëdha ekonomike dhe humanitare”, tha për BBC Peter Nagle, një bashkëautor i raportit.
Nagle tha se familjet në mbarë botën po ndiejnë krizën e kostos së jetesës.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për familjet më të varfra pasi ato shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave për ushqim dhe energji, kështu që ato janë veçanërisht të prekshme nga kjo rritje e çmimeve,” shtoi ekonomisti i lartë në Bankën Botërore.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet po ashtu se çmimet e energjisë janë vendosur të rriten me 50%, duke rritur në këtë mënyrë dhe faturat për familjet dhe për bizneset.
Rritja më e madhe do të jetë në çmimin e gazit natyror në Evropë, i cili pritet të dyfishohet në kosto. Çmimet parashikohet të bien vitin e ardhshëm dhe në 2024, por edhe atëherë do të mbeten 15% më të larta se vitin e kaluar.
Rusia prodhon rreth 11% të naftës në botë, por raporti thotë se “ndërprerjet që rezultojnë nga lufta pritet të kenë një efekt negativ të qëndrueshëm” pasi sanksionet nënkuptojnë largimin e kompanive të huaja dhe reduktimin e aksesit në teknologji.
Rusia aktualisht siguron 40% të gazit të BE-së dhe 27% të naftës së saj, por qeveritë evropiane po bëjnë përpjekje që vendet e tyre të mos jenë të varura nga furnizimet ruse.
Kjo ka sjellë rritjen e çmimeve globale duke krijuar më shumë kërkesë për furnizime nga vende të tjera.