Bota Banorët e Athinës fitojnë betejën me një hotel që i mbuloi pamjen...

Banorët e Athinës fitojnë betejën me një hotel që i mbuloi pamjen Akropolit

Banorët dhe turistët në Athinë do të kenë mundësinë të shijojnë Akropolin, falë mobilizimit në protestë kundër një hoteli që me tarracën e re u pengonte pamjen. Akropoli, që përfaqëson zemrën e civilizimit helen, është një nga sitet arkeologjike më të më të famshme në botë.

Por një vit më parë, një hotel me pesë yje ndërtoi një tarracë panoramike mbi katin e fundit, e cila me kalimin e kohës u bë shumë e kërkuar nga turistët që donin ta shikonin tempullin helen që aty.

Pronari i hotelit, biznesmen i fuqishëm, zotëron edhe “Coco-Mat”, kompani dyshekësh e njohur në Greqi.

Megjithatë, kjo nuk i ka stepur banorët e lagjes Makriyianni, e cila u prek më shumë nga ndërtimi. Banorët lançuan fillimisht një peticion online, ku mblodhën 23 000 firma, një shifër e mjaftueshme për të apeluar në Këshillin Qendror Arkeologjik (KAS), organi më i lartë këshillimor për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe artistike të vendit. Pas gjashtë orësh debat, këshilli doli me një vendim: shembja e tarracës së hotelit, duke njohur të drejtën e qytetarëve për të përfituar nga një e mirë e përbashkët.

Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakoyannis, e quajti vendim të guximshëm. “Akropoli është zemër dhe shpirt, një pjesë thelbësore e trashëgimisë sonë kulturore. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të mund ta vlerësojnë”.

Pas krizës ekonomike të vitit 2012, në Greqi janë eliminuar nga normativa për planet rregulluese kufizime të ndryshme me të cilat mbrohej peizazhi në të kaluarën, madje edhe me kufij në lartësinë e ndërtesave. Investitorët shfrytëzuan rastin duke ngritur ndërtesa më të larta ose duke shtuar kate në ato ekzistuese.

Prej kohësh, aktivistët i kërkojnë qeverisë rivendosjen e këtyre kufizimeve.