Bota Barack dhe Michelle Obama mes ovacioneve: Me Kamala Harris nis kapitulli i...

Barack dhe Michelle Obama mes ovacioneve: Me Kamala Harris nis kapitulli i ri

“Amerika është gati për një kapitull të ri”. Me këtë apel, ish-presidenti amerikan, Barack Obama, iu drejtua demokratëve dhe qytetarëve në Konventën Kombëtare që të mbështesin Kamala Harris për presidente.

“Ne nuk kemi nevojë për katër vite të tjera me rrëmujë, trazira dhe kaos. Ne e kemi parë njëherë atë film dhe të gjithë e dimë se zakonisht vazhdimi është edhe më keq. Prandaj Amerika është gati për një histori më të mirë. Ne jemi gati për Kamala Harris Presidente”, tha Barack Obama, ish-president i SHBA.

Një fjalim të mbushur me pasion mbajti edhe ish-Zonja e Parë amerikane, Michelle Obama. Në mbrëmjen e dytë të Konventës Kombëtare Demokrate, ajo tha se me Harris ndan të njëjtat vlera.

“Mishërimi i historive që i tregojmë vetes për këtë vend, historia e saj është historia juaj. Është historia ime. Është historia e shumicës dërrmuese të amerikanëve që përpiqen të ndërtojnë një jetë më të mirë”, tha Michelle Obama.

Çifti Obama vlerësuan figurën dhe jetën politike të presidentit Joe Biden duke nënvizuar se ai mbrojti demokracinë kur ishte në rrezik. Gjithashtu nuk i kursyen sulmet ndaj kandidatit republikan, Donald Trump.

Në natën e dytë të Konventës Kombëtare Demokrate u bë dhe numërimi i votave ku rezultoi që Kamala Harris ka fituar nominimin, të cilin e pranoi simbolikisht.

Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë me Harris me një avantazh të vogël ndaj Trump.

Por zgjedhjet presidenciale amerikane do të vendosen nga disa shtete kryesore.