Ndeshja me Kroacinë/ Kurti nga stadiumi: Çfarë Shqipërie! Ëndrra vazhdon. Rama: Kjo quhet krenari
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte në stadium për të parë nga afër ndeshjes Shqipëri-Kroaci dhe e në përfundim të saj nuk i ka kursyer lëvdatat për kuqezinjtë.
Ai shprehet se një atmosferë e tillë nuk mund të përsëritet, ku kombëtarja shqiptare ishte e barabartë në fushë me një ekip si Kroacia, nënkampione bote.
Në fund, postimin e tij, Kurti e mbyll me “Ëndrra vazhdon.
“Çfarë Shqipërie që na mbush ndjenja dhe entuziazëm! Pjesa e parë ishte e jona. Pjesa e dytë e Kroacisë. Në fund u ndamë me nga një pikë secila. Atmosferë që nuk përsëritet me lojë të bukur futbolli. Ëndrra vazhdon”, shkruan Kurti.
Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në Facebook pas barazimit 2-2 të Shqipërisë me Kroacinë në Euro 2024.
Ndër të tjera, teksa ka shpërndarë një foto pas golit të parë të Laçit, Rama shkruan “kjo quhet krenari”.
“Përballë një skuadre shumë më të fortë në letër dhe me shumë më shumë eksperiencë në këto nivele ishte një Shqipëri e re, e përkushtuar me mish e me shpirt ndaj flamurit kuqezi, e cila të mbush me krenari, me dashuri, me respekt e me optimizëm për rrugën përpara, përtej këtij Europiani, falë djemve të jashtëzakonshëm dhe publikut të saj po aq të jashtëzakonshëm.
Kokën lart dhe kështu përpara, me pasion, shpirt skuadre, përpjekje deri në fund për të bërë më të mirën”, shkruan Rama në Facebook.