Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas disa komenteve negative në rrjetet sociale për këngëtarin serbo-kroat Bregoviç që këndoi në festën e birrës në Korçë.
Kreu i qeverisë kësaj radhe u është përgjigjur akuzave që thonë se “ka barazuar Bregoviçin me Dua Lipën”.
“Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfarë Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes”, shkruan Rama në Facebook.