Aktualitet “Barbas” dhe “Pelados”, historia e dy bosëve shqiptarë që hynë në Peru...

“Barbas” dhe “Pelados”, historia e dy bosëve shqiptarë që hynë në Peru si turistë për të trafikuar 2.2 tonë kokainë

2 shqiptarët e shtrijnë “biznesin” edhe në Peru! Forma inteligjente për të trafikuar 2.2 tonë kokainë

Policia antidrogë në Peru ka vënë në pranga disa persona në lidhje me një sasi prej 2.2 tonësh kokainë të sekuestruar disa ditë më parë në një port të vendit dhe që do të transportohej në Europë. Pas kësaj skeme qëndronin dy shqiptarë, fotot dhe emrat e të cilëve janë publikuar ditën e sotme.

Ata janë Gentjan Meta dhe Franc Malo, të cilët mundën t’i shpëtonin arrestimit. Shqiptarët hynë në Nëntor të vitit 2021 në Peru në mënyrë ilegale nga kufiri me Ekuadorin dhe ishin paraqitur si turistë. Autoritetet peruane i vunë menjëherë nën kontroll dy shqiptarët pasi panë që kishin precedentë penalë për trafik droge në atdheun e tyre. Operacionet e survejimit do të pasonin me një super aksion të realizuar mes të premtes së 10 Qershorit dhe të shtunës së 11 Qershorit në Trujillo dhe Callao.

Sipas asaj që raportojnë mediat, Malo dhe Meta kishin si qëllim zhvendosjen në Peru eksportimin e 2.2 tonë kokainë në gjendje të lëngshme që do të sillej në Roterdam të Holandës e fshehur në kanaçet me asparag. Prania e trafikantëve shqiptarë në Ekuador dhe Kolumbi është rritur dekadën e fundit. Sipas mediave në Peru, organizatat shqiptare përfitojnë nga eksporti i frutave dhe produkteve agrikulturore nga Amerika Latine në Europë për të fshehur kokainën në sasi shumë të mëdha. Por ajo që i shqetëson peruanët është rritja e dhunës mes organizatave shqiptare me ato meksikane e kolumbiane në territorin ekuadorian. Kjo ka bërë që shqiptarët të eksplorojnë Perunë, ku prodhimi i kokainës është rritur dhe ka mundësi furnizimi më shumë.

Më 22 Janar të këtij vitit, sipas La Republica, u vra një prej drejtuesve të trafikut të drogës në Ekuador. Bëhet fjalë për Ergys Dashin, i cili u vra në një restorant në Guayaquil. Prandaj sipas mediave, arritja e Franc Malos dhe Gentjan Metës në Trujillo është i lidhur me interesin e shqiptarëve për të gjetur mjedise më pak të rrezikshme se ato ekuadoriane për të eksportuar kokainën në Europë.

Skema për eksportin e drogës

Agjentët nga Peruja ndoqën të gjithë procesin e mafias, që nga ruajtja dhe kondicionimi e deri tek lënia e drogës në kontejnerë në portin e Callao. Në këtë pikë u realizua aksioni dhe u gjet kokaina. Mediat shkruajnë se i përfshirë në këtë skemë është edhe pronari i sasisë së asparagut ku u fsheh kokaina, Ismael Jiménez Manrique. Ai e themeloi kompaninë në 2018-n, por pasi u kontaktua nga shqiptarët më 27 Prill të këtij viti, ai u dorëhoq si drejtues i përgjithshëm i kompanisë Fresh Trade dhe vendosi në vendin e tij krahun e djathtë, Luis Ramos Palaez.

Ismael Jiménez Manrique

Policia peruane e kodoi operacionin me emrin “Bitcoin”, sepse mafia shqiptare kishte për qëllim që të përdorte sistemin e kriptomonedhave si një mënyrë pagese, për të shmangur kështu gjurmimin e parave.

Shqiptarët Malo dhe Meta pasi shkuan në Trujillo në mënyrë të paligjshme u regjistruan në një prej hoteleve më luksoze të zonës. Pastaj kontaktuan Ronny Silva Leon, 35 vjeç. Ky person është një biznesmen që dominon menaxhimin e eksporteve të produkteve ushqimore. Silva ka qenë prej kohësh në survejim pasi dyshohej se punonte për organizatat kriminale të trafikut të drogës.

Ronny Silva Leon

Laboratori që u ngrit për transformimin e kokainës në formë të lëngshme u bë në veri të Trujillo. Për këtë bashkëpunuan shqiptarët dhe biznesmenët Silva dhe Jimenez. Në një përgjim telefonik kuptohet se shqiptarët i kishin bërë presion për të lëvizur sasinë e drogës brenda muajit Qershor.

“Jemi kundër kohës. Po më bëjnë presion. Asparagu nuk mund të presë më gjatë”, mësohet t’i ketë thënë Silva partnerit të tij Jimenez.

Dhe kështu ndodhi. Të enjten më 9 Qershor, një kamion i drejtuar nga Luis Vasquez Colquier la Trujillo-n dhe iu drejtua portit të Callao-s pa kuptuar se pas tyre ndodheshin agjentët antidrogë. Ky shofer shoqërohej nga Luis Ramos Pelaez, tashmë menaxheri i Fresh Trade. Sipas mediave, në pranga ranë 7 peruanë. Ismael Jimenez dhe shqiptarët Malo e Meta u arratisën. Por policia thotë se mafia shqiptare do të vijojë të transportojë drogë.

Sipas zyrtarëve peruanë, vlera e drogës në zonat ku prodhohej arrinte 1500-2000 Dollarë për kilogramë. Por sapo arrin në Lima, kryeqytetin e Perusë ose në portin e Callao-s, çmimi trefishohet.

“Çmimi i drogës në kontinentin europian ose në Holandë, mund të arrijë 100 mijë dollarë për kilogram”, tha kreu i Dirandro, policisë shtetërore në Peru.

Policia konfirmoi se operacioni Bitcoin tregon se organizatat kriminale shqiptare kanë filluar të zhvillojnë aktivitete të trafikut të drogës në një shkallë më të gjerë. Sipas tyre mafia shqiptare e drogës është një nga më të fuqishmet dhe më të frikshmet në Evropë.

*Kokaina e lëngshme është shndërruar gjatë viteve të fundit në një metodë gjithnjë e më popullore për trafikimin e kësaj droge. Ajo u raportua për herë të parë në vitin 2011 kur autoritetet kapën 13 kilogramë në Santa Cruz, në kufirin me Brazilin dhe Paraguajin. Megjithatë, besohet se kjo teknikë kishte disa kohë që përdorej në Kolumbi pa u zbuluar.

Prodhimi i kokainës së lëngshme përfshin tretjen e kokainës në ujë, tretës ose produkte të tjera që përmbajnë përbërje kimike si manitoli, glukoza, celuloza ose laktoza. Më pas vendoset brenda produkteve si shishet e shampove ose fshihet mes melasës së kallam sheqerit, duke e bërë më të lehtë trafikimin e tyre në kontejnerë, apo nga trafikantët.

Kokaina e lëngshme është shumë më e vështirë për t’u zbuluar se kokaina pluhur për shkak të këtyre metodave pasi ajo tretet në substanca që mbulojnë erën e saj.