Pas bilbilit përfundimtar të Juventus-Barcelona, nisi beteja e rrjeteve sociale mes dy klubeve. Nëse katalanasit i provokuan bardhezinjtë duke iu referuar Messit me GOAT (më i madhi i të gjitha kohërave), klubi kampion italian ka lënë takim ndeshjen e kthimit për hakmarrje, kur mund të mbështetet te Cristiano Ronaldo. E kuptueshme kjo qasje, duke ditur dualizmin e përjetshëm midis Leo Messi, protagonist i ndeshjes me një gol dhe një asist, dhe Cristiano Ronaldos, që mungoi për shkak të infektimit të Covid-19.
Argjentinasi ishte protagonist i Juventus-Barcelona. Një asist dhe një gol për numrin 10, i cili vendosi firmën e tij në fitoren 2-0 ndaj bardhezinjve në Champions. Loja e postimeve nga profili social i Barçës filloi me një shije provokimi: “Jemi të lumtur që mundët të shikonit “The Goat” në fushën tuaj”. Argjentinasi është përkufizuar edhe një herë si GOAT, që do të thotë fjalë për fjalë “dhi”, por në të vërtetë është shkurtesa e “Greatest of All Time” (më i madhi i të gjitha kohërave).
Përgjigja nga Juventusi nuk vonoi të vinte. Pak më vonë erdhi postimi nga profili anglez i klubit bardhezi: “Ju ndoshta keni parë fjalorin e gabuar. Ne do t’ju sjellim të duhurin në Camp Nou”.
CR7 dhe Messi nuk mundën të përballeshin mbrëmë në fushë, por dueli i përjetshëm midis dy lojtarëve më të fortë në botë u zhvillua në rrjetet sociale. Dhe tani numërimi ka filluar mbrapsht për ndeshjen e kthimit midis Barcelonës dhe Juventusit, e planifikuar për më 8 dhjetor.
You probably looked it up in the wrong dictionary. We'll bring you the right one at Camp Nou 🔍📖
— JuventusFC (@juventusfcen) October 28, 2020