Lautaro Martinez drejt Spanjës. Jo te Barcelona, por te Reali i Madridit. Nuk është thjesht një sugjerim për të trazuar ujërat, sepse është fakt që përfaqësuesit sulmuesit të Interit, në misionin e tyre spanjoll, përveçse në Barcelonë, kanë bërë një ndalesë edhe në Madrid, ku në mënyrë të papritur mësohet se kanë gjetur menjëherë marrëveshjen në parim me klubin mbretëror.
Ky është një operacion që tek Interi janë përpjekur ta mbajnë sekret deri në fund, për të parandaluar një rrjedhje të lajmeve, sepse i frikësoheshin dështimit të bisedimeve me Arturo Vidalin (do të paguajë një kompensim simbolik prej 3 milionë eurosh për të prishur kontratën me “blaugranat”).
Pas ndryshimit të qartë të kursit (vetëfinancim) të imponuar nga Kina, Zhang, Marotta dhe Ausilio në fund të fundit mund të sakrifikojnë Lautaron, për të financuar blerjen e francezit Kanté, sepse, për momentin, nuk po lëvizin Brozovic dhe Skriniar. Shitja e sulmuesit argjentinas te Reali i jep mundësinë klubit zikaltër të rikuperojë 40 milionë euro të shpenzuara për Hakimin, kur efektet e krizës nuk ishin ende kaq të forta.
Nga ana tjetër, Florentino Perez do t’u jepte një goditje të fortë rivalëve të tij te Barcelona, duke u rrëmbyer objektivin kryesor në merkato. Drejtuesit e Interit mendojnë se, përveçse shumën e shpenzuar për Hakimin, do të kishin edhe 50-60 milionë euro për t’i kaluar në arkat e Chelsea-t për Kanté.
Vlerësimi i përgjithshëm i Lautaros do të kalonte shifrën e 100 milionë eurove. Një operacion i cili mund të përfshijë gjithashtu Jovicin, me kalimin e sulmuesit serb në huazim me të drejtën e blerjes nga Interi.
Kishte dyshime për Lautaron për faktin se ai nuk dëshironte ta tradhtonte Messin, por duke pasur parasysh situatën te Barcelona (“Pleshtit” i përfundon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm), “Toro” do të pranonte transferimin në “Bernabeu” me pagë 8 milionë euro në sezon, 2 milionë më pak nga ç’i ka premtuar Bartomeu, presidenti i Barcelonës.