Ish-presidenti dhe kandidati për presidencën e Barçës, Joan Laporta merr në mbrojtje yllin e ekipit: Publikimi i kontratës së Messit, kriminale. Ai gjeneron 1/3 e fitimeve totale të Barcelonës
“El Mundo” ka publikuar pjesën e dytë të kontratës marramendëse të Messit me Barcelonën, që u firmos në nëntor të vitit 2017.
Nëse të dielën gazeta publikoi se totali i shumës së përfituar nga argjentinasi për 4 vite është rreth 555 milionë euro (138 milionë euro në sezon, përfshi bonuset), sot zbulon një klauzolë në kontratë, sipas së cilës, klubi do t’i paguajë Messit në muajin korrik 39 milionë euro të tjera, për atë që quhet “besnikëria ndaj klubit”.
Kjo pagesë do të bëhet edhe nëse Messi qëndron, edhe nëse largohet nga katalanasit në fund të sezonit.
Koeman i del në mbrojtje
Lajmi i së dielës shkaktoi shumë debat në botën e futbollit, duke bërë që trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, të dalë në mbrojtje të lojtarit të tij: “Nuk ka kuptim të thuhet se Messi po falimenton Barcelonën. Unë nuk e kuptoj. Nëse dikush brenda klubit ka nxjerrë dokumentet, nuk duhet të punojë më për këtë klub. Mos u merrni më me kontratën dhe me budallallëqe si kjo… Duhet vlerësuar ajo që ka bërë Messi për Barcelonën. Ka vite që i tregon vlerat e tij, është më i miri dhe e ka bërë këtë klub edhe më të madh sesa ishte”.
Reagon edhe Laporta
Ish-presidenti dhe kandidati për presidencën e Barçës dha një intervistë për “Rac1”, në të cilën tha: “Unë do të bëj gjithçka të mundur që Messi të vazhdojë te Barça. Kam indikacione se ai ndihet mirë te Barcelona dhe dëshiron të qëndrojë, por duhet të besojë një projekt sportiv konkurrues.
Dje (të dielën) i dërgova një mesazh për ta inkurajuar dhe për të mos i kushtuar vëmendje këtij lajmi, sepse katalanasit duan që ai të vazhdojë. Ky lajm dhemb, sepse dëmton Barçën, por ka keqmenaxhim, ndaj këto gjëra ndodhin. Situata e Barçës nuk kushtëzohet nga kontrata e Leos. Ai gjeneron më shumë të ardhura sesa kushton. Ekipi ekonomik i kandidaturës sime ka bërë një studim, sipas të cilit Messi gjeneron një të tretën e të ardhurave totale të Barçës.
Ajo që gjeneron Messi është gjithashtu kthimi emocional dhe sportiv. Ajo që Messi na ka bërë të jetojmë është e paçmueshme. 8 nga 10 fanella të shitura janë të Leos në të gjithë botën. Ja pra, që ekzistenca e klubit varet gjithashtu nga Messi. Pa Leo nuk do të kishim fituar aq shumë. Kthimi ekonomik ekziston. Leo përfaqëson 8.2% të shpenzimeve të klubit. Një ekip me Leo, gjithmonë aspiron për gjithçka. Messi nuk udhëhiqet vetëm nga paratë. Duhet të gjesh një formulë për ta valorizuar atë. Ai nuk do t’iu japë përparësi parave, as çështjes ekonomike.
Nëse ai qëndron, do të na ndihmojë shumë të rimëkëmbemi edhe ekonomikisht. Por, si përgjegjës të klubit, ne duhet t’i bëjmë një ofertë dinjitoze, sepse po flasim për lojtarin më të mirë në histori. Kuptohet, brenda mundësive ekonomike të Barçës. Lajmi i dalë së fundi për fitimet e tij është dashakeqës. Ata që e kanë sjellë klubin këtu përbënin bordin e drejtorëve, i cili e humbi toruan pas shitjes së Neymar”, tha Laporta.