Nuk kanë fund telashet për regjistrimin e lojtarëve te Barcelona.
Klubi katalanas ka humbur një tjetër betejë, në përpjekjet për të arritur një marrëveshje.
La Liga dhe Federata Spanjolle e Futbollit, kanë refuzuar regjistrimin e dy lojtarëve nga Barcelona, Dani Olmo dhe Pau Victor për shkak të FairPlay financiar.
Kjo u konfirmua nga një deklaratë zyrtare, ku njoftohet vendimi i marrë.
“Pasi janë kërkuar licencat për lojtarët Dani Olmo dhe Pau Victor nga FC Barcelona dhe pas analizës së rregulloreve federale në fuqi, Komiteti i Monitorimit pranon të mos japë licencën paraprake dhe as licencën përfundimtare të kërkuar nga FC Barcelona, në përputhje me interpretimin e mirëfilltë të neneve 130.2 dhe 141.5 të Rregullores së Përgjithshme të RFEF-së, të cilat e pengojnë një lojtar të cilit i është hequr licenca të jetë në gjendje, gjatë të njëjtit sezon, të marrë një licencë në të njëjtin ekip të klubit për të cilin ai ishte tashmë i lidhur”, shkruan Federata Spanjolle e Futbollit.
Te Barcelona tashmë duhet të gjejnë një zgjidhje tjetër, sidomos për Olmo, për të cilin paguan rreth 60 milionë euro në verë, për ta afruar nga Leipzig.
Klubi blaugrana mund të bëjë apel në Consejo Superior de Deportes dhe më pas drejtësisë së zakonshme, por ndërkohë lojtarët janë të lirë për të firmosur për një tjetër klub.