Barcelona nuk ia doli të ruante epërsinë në fushën e Granadas, ku në fund ishte e detyruar t’i gëzohej një pike, pasi sfida u mbyll 1-1. Katalanët u tradhtuan nga mesfushori i ri, Gavi, që u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
“Blaugranat” i nderoi sulmuesi më i kritikuar gjatë pjesës së parë të sezonit, holandezi Luuk de Jong, i cili në minutën e 57-të shfrytëzoi më së miri me kokë një krosim perfekt nga Dani Alves, në debutimin e brazilianit me “bluagranat” në këtë epokë të dytë të tij në Katalunjë, për të zhbllokuar rezultatin.
Në fakt, Luuk de Jong shënoi edhe në minutën e 10-të, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje në ndërtimin e aksionit.
Në fund, skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez vuajti shumë, pasi në 80-tën minutën Gavi e la skuadrën e tij në inferioritet numerik.
“Blaugranat” nuk mundën të ruanin rrjetën të paprekur, teksa në minutën e 89-të Puertas shfrytëzoi topin e mbetur në zonë duke e lënë të palëvizur portierin ter Stegen.