Politika Bardhi-Bashës: Hallin personal mbaje në shtëpi, s’po i shërbej Berishës! Nesër do...

Bardhi-Bashës: Hallin personal mbaje në shtëpi, s’po i shërbej Berishës! Nesër do mblidhet Këshilli Kombëtar

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij për të mbledhur ditën e nesërme Këshillin Kombëtar të partisë për të anuluar zgjedhjet e 29 korrikut. Nisur nga ngërçi që ka kapluar sërish partinë më të madhe opozitare në vend, Bardhi ka dalë në një deklaratë për mediat duke u ndalur në disa prej akuzave më të ashpra që janë artikuluar së fundmi në drejtim të tij. Së pari, ai u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që e kanë konsideruar jo të rregull mbledhjen e Kryesisë, ku një pjesë e deputetëve ishte online. E ndërsa thirrjes për në Komisionin e Etikës, iu përgjigj shumë thjeshtë duke thënë se llogari jep vetëm në Këshillin Kombëtar.

“Njoftimi është kompetencë ekskluzive e Sekretarit të Përgjithshëm. Secili nga kolegët është i lirë të marrë pjesë ose jo në Këshillin Kombëtar. PD nuk ka lindur sot kur ata u ulën në karrigen e Anëtarëve të Kryesisë, por ka zhvilluar disa mbledhje online, siç ishte dhe mbledhja për miratimin e kandidatëve për deputetët. (…)Sot jam njohur dhe me një kërkesë të Komisionit të Etikës që duhet të shkoj të jap llogari për vendimet. Llogari i jep vetëm Këshillit Kombëtar që mblidhet nesër”, tha Bardji.

Akuzave të ngritura drejt tij, Bardhi është kundërpërgjigjur me një kundër akuzë, e cila kësaj herë në shënjestër nuk kishte vetëm Sali Berishën, por edhe Lulzim Bashën, dikur një prej njerëzve më të afërt të tij.

“Nuk ka asnjë rregull që mbledhja do të bëhet në sallën ku duan ata, nëse duan të jetë në një dhomë apo të ndarë. Prandaj e gjithë deklarata që përmbyllej me fjalinë e kopjuar me fjalinë e kopjuar nga Berisha, më akuzonte se po bën manovra për t’i dorëzuar partinë Berishës duke i shërbyer Metës, Berishës dhe Ramës, se kush e bën këtë, opinioni publik do e kuptoj dhe e ka kuptuar. Unë i kam shërbyer interesit të PD, nëse do bëja manovra do e kisha mbyllur sytë në këtë moment delikat”, shtoi ai.

Në këto kushte, për Bashën ka të njëjtin mesazh që ka thënë për Sali Berishën një vit e gjysmë më parë.

“Interesat personale cilido do duhet t’i mbajë në shtëpi, këtë i kam thënë një vit e gjysmë Berishës dhe këtë i them sot Lulzim Bashës”, tha Bardhi.

Në Partinë Demokratike është hapur një front tjetër lufte duke e thelluar më tej përçarjen. Bardhi është rreshtuar kundër zgjedhjeve për kreun e ri të Partisë Demokratike, ku pa asnjë surprizë pritet rizgjedhja e Lulzim Bashës. Pikërisht për këtë arsye, Kryesia mori vendimin për t’i hequr vulën, duke e kthyer situatën në PD në pikën zero.