Politika Bardhi: Do kallëzojmë Nikollën në SPAK, lejoi gardistët e armatosur në Kuvend

Bardhi: Do kallëzojmë Nikollën në SPAK, lejoi gardistët e armatosur në Kuvend

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se opozita do të kallëzojë në SPAK, kryeparlamentaren e Kuvendit, Lindita Nikollën. Bardhi theksoi se Nikolla ka futur në sallë gardistë të armatosur.

“Ne do ta kallëzojmë kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla për shpërdorim detyre. Kryetarja e Kuvendit mendon se mund të trembë opozitën. Nikolla lejoi futjen në sallë të gardistëve të armatosur.

Ne thjesht po kërkojmë të ushtrojmë funksionin tonë kushtetues. Qytetarët duhet të dinë pse vidhen, pse ata nuk përfitojnë kujdes shëndetësor. Fondet në shëndetësi janë vjedhur dhe prandaj qytetarët nuk kanë ilaçe. Opozita po mbron qytetarët”, tha Bardhi.

Gazment Bardhi tha se ka dëgjuar se qarkullon lajmi, se një prokuror i SPAK po heton atë që ndodhi sot në Kuvend. Sipas tij, nëse ky lajm është i vërtetë, SPAK është kthyer në një institucion qesharak. Bardhi theksoi se Struktura e Posaçme Antikorrupsion duhet të merret me korrupsionin madhor e jo me të tilla ngjarje.

“Kam dëgjuar që në seancën plenare paska shkuar një prokuror i SPAK. Uroj që mos të jetë lajm i vërtetë. Nëse do ishte lajm i vërtetë, besueshmëria për këtë institucion bie. SPAK duhet të hetojë krimin e organizuar dhe atë qeveritar e jo të merret me karriget në parlament. Nëse lajmi është i vërtetë, është tepër shqetësues. Prokurorët të shkojnë te zyrat e Ramës dhe të zyrtarëve të tjerë të korruptuar”, deklaroi Bardhi.

Në seancën e sotme në Kuvend ka pasur tensione të forta mes deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së, ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet fizike, por edhe tymueset.