Kreu i Grupit Parlamentar Demokrat Gazment Bardhi, tha sot se PD do të çojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për taksimin e profesioneve të lira.
Bardhi i bëri thirrje publike presidentit Bajram Begaj që të mos e dekretojë ligjin që tashmë ka marrë miratimin e parlamentit.
Kreu i grupit të PD theksoi se taksimi i profesioneve të lira më shumë se oligarkët është diçka e papranueshme.
“Jam këtu për t’ju thënë se do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për taksimin e profesioneve të lira. Profesionistët e lirë sot taksohen më tepër edhe se oligarkët dhe kjo nuk mund të jetë normale. Një thirrje kam edhe për presidentin Bajram Begaj, që të mos e dekretojë ligjin për zonat e mbrojtura, të mos bëhet me maxhorancën, por të jetë me qytetarët”, tha Bardhi.
Kreu i grupit demokrat u ndal dhe te dhuna në parlament, ku tha se opozita nuk do të lejojë zhvillimin e një seance normale deri sa të trajtohet siç duhet nga maxhoranca qeverisëse.
“Ju pyetët nëse parlamenti do të funksionojë normalisht. Parlamenti do funksionojë normalisht, në momentin që maxhoranca do të trajtojë siç duhet opozitën”, tha Bardhi.