Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi thotë se fakti që deputeti Arben Ahmetaj nuk bën asnjë reagim, tregon që po i fshihet drejtësisë dhe masës së kërkuar nga SPAK, asaj të arrestit në burg pasi t’i hiqet imuniteti.
Në një lidhje për emisionin ‘Opinion’, Bardhi u shpreh se nuk ka Ahmetaj rrezikon 15 vite burg në bazë të akuzave të ngritura. Ai i ka bërë sërish thirrje Arben Ahmetajt që të përballet me drejtësinë dhe të bashkëpunojë me hetuesit.
“Në qoftë se Ahmetaj është larguar se ka arsye personale që do ishte krejtësisht njerëzore, do të kshte bërë një reagim publik. Fakti që është në heshtje tregon që është larguar për t’ju shmangur asaj mase që ka kërkuar Prokuroria. Pse mund të vendos Ahmetaj për të mos u përballur me drejtësinë, sepse rrezikon të paktën 15 vite burg. Duke u fshehur në një vend ku Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi, mund të vijojë i qetë jetën e tij ndoshta edhe në para nga korrupsioni të fshehura jashtë vendit. Nuk dua të aludoj. Të gjitha të dhënat flasin për arratisje, por i kam bërë thirrje z. Ahmetaj të vijë të përballet me drejtësinë dhe të bashkëpunojë për zbardhjen e plotë të aferës së inceneratorëve”, deklaroi Gazment Bardhi.
Bardhi thotë se do të ketë arrestime të tjerë në nivel zyrtarësh të lartë përsa i përket dosjes hetimore për Arben Ahmetajn.
Bardhi thotë se sipas tij koka e aferës së inceneratorëve nuk është Arben Ahmetaj, por kryeministri Edi Rama.
Gazment Bardhi: Koka e kësaj afere nuk është Ahmetaj, por Rama. Nuk ka fuqi Ahmetaj që të vërë në lëvizje qeverinë. Rama ka takuar Ahmetajn, Gjiknurin, nuk ka pasur nevojë të takojë Zoton e Mërtirin. Ahmetaj ka qenë i përfshirë në këtë aferë. Kudo ku shkonte Ahmetaj, merrte kompetenca mbi mbikqyrjen e këtyre dhe çdo gjë përgatitej nga zyra private e Klodiano Zotos. Në transaksione të paligjshme fshihen para korrupsioni të dhëna nga Mërtiri dhe Zoto. Sipas SPAK, pas çdo veprimi që bënte Ahmetaj ndodhte një nga këto transaksione. Disa prokurorë brenda SPAK kanë integritetin e duhur për të hetuar të pandikuar nga prokuroria dhe këta duhet të mbështeten. Dosja do të shkojë më tej dhe do të ketë arrestime të tjera në nivele të larta dhe kam besim që SPAK do t’i shkojë deri në fund.
Bardhi ka inkurajuar SPAK-un të vijojë hetimet dhe të godasë majtas apo djathtas këdo që ka abuzuar me pushtetin.
Gazment Bardhi: Në çdo goditje që SPAK do të bëjë do të ketë mbështetjen time. Inkurajoj të godasin majtas e djathtas, cilindo që ka abuzuar me pushtetin.
Megjithatë, Bardhi thotë se SPAK ka bërë gabim që ka copëtuar dosjen hetimore për inceneratorët, duke thënë që duheshin hetuar si një e vetme.
Gazment Bardhi: SPAK Ka bërë një gabim me pasojë në hetim që e ka ndarë dhe copëzuar dosjen. Të treja denoncimet e PD duhet të ishin bashkuar në të njëjtën dosje dhe të hetoheshn si një. Kishte një tentativë në fillimet e SPAK sepse nuk është kaq e lehtë për të goditur politikanë të fuqishëm, prandaj duhet t’i japim kohë. Më mirë të kishin marrë më shumë kohë se sa e copëzuan për t’i dhënë publikut 2 ose 3 emra. Dumani dhe prokurorë të tjerë kanë vullnetin për ta çuar këtë hetim deri në fund me të gjithë dëmet. Nuk mundet që SPAK të mos ketë asnjë veprim përsa i përket inceneratorit të Tiranës, është një incenerator fantazmë. Bashkia e Tiranës paguan mijëra euro për një objekt që nuk ekziston, prandaj SPAK duhet të veprojë sa më shpejt dhe duhet të bëhet konfiskimi i objekteve.