Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka komentuar deklaratën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili reagoi publikisht për arrestimin e drejtorëve të Bashkisë me urdhër të SPAK.
Sipas Gazment Bardhi, Erion Veliaj dha dy mesazhe në deklaratën për mediat, ku sipas kreut të Grupit të PD, një ishte për kryeministrin Edi Rama dhe një ishte për Prokurorinë e Posaçme.
Deputeti Bardhi, gjatë një takimi me demokratët në Berat, u shpreh se kryebashkiaku Veliaj i dha mesazh kreut të qeverisë se nëse “unë mbaj përgjegjësi për drejtorët e mi, ishte mesazhi drejtuar kryeministrit, ti do të mbash përgjegjësi për zëvendësin tënd”.
“Fjala e sotme e Veliajt kishte dy mesazhe, një mesazh për drejtësisë, dhe një për Ramën. Mesazhi për drejtësinë ishte që drejtorët e mi kanë bërë punë të mirë për Tiranën dhe ju nuk do të duhet t’i godisnit. Por mesazhi kryesor në fakt e kishte për Ramën “pse unë do të duhet të mbaj përgjegjësi për vartësit e mi, drejtorët, s’kam pasur dijeni njëlloj si ty që nuk ke dijeni se çfarë ka bërë përgjegjësi jot. Dhe nëse unë mbaj përgjegjësi për drejtorët e mi, ishte mesazhi drejtuar kryeministrit, ti do të mbash përgjegjësi për zëvendësin tënd”, tha Bardhi.
Ndërsa theksoi se këto janë kode mafioze në një qeveri që, sipas tij, në 11 vite është sjellë si organizatë mafioze.