Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i quajti shoqatë “non grata” Sali Berishën dhe mbështetësit e tij.
Shtyrjen e daljes për mediat, Bardhi e justifikoi me vizitën e Berishës. “I lamë hapësirën e duhur për turin e përditshëm të shoqatës “non grata”. Nga 9 shtatori, demokratët dhe shqiptarët dëgjojnë një lumë gënjeshtrash nga Sali Berisha”, tha Bardhi.
Ai tha se Berisha paralajmëroi për dhunë gjatë protestës së të shtunës. “Sot, paralajmëroi akte dhune në selinë qendrore të demokratëve. Absurdi i protestës kombëtare që ka thërritur për hallin personal është se Berisha kërkon ta kthejë selinë e PD-së në bunker për një person të shpallur non grata”, shtoi Bardhi.
Gjatë prononcimit për mediat të premten para selisë së PD-së, Berisha tha se protesta e së premtes do të jetë paqësore. “Midis nesh nuk ka dhe nuk mund të ketë njerëz të armatosur. Ne nuk mund të hyjmë për të dhunuar asnjë njeri, përveç se mercenarët të cilët i paralajmëroj të dalin nga ndërtesa. Bashën do ta nxjerrim me pekule”, tha Berisha.