Politika Bardhi fton edhe Bashën në takim për të unifikuar agjendën e përbashkët...

Bardhi fton edhe Bashën në takim për të unifikuar agjendën e përbashkët parlamentare

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat të hënën e 4 shtatorit theksoi se takimi i nesërm është për të unifikuar një agjendë të përbashkët parlamentare.

“Ftoj secilin koleg të jetë pjesë e takimit, që t’i japim fund situatës së krijuar gjatë këtyre dy viteve. Roli im është të unifikoj çdo deputet me një qëndrim kundër Edi Ramës. Unë po bëj detyrën time”.

Ndërsa për sa i përket zgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar i grupit në Kuvendin Kombëtar, Bardhi tregoi numrat dhe tha se Basha do duhet të fitojë besimin e 18 kolegëve.

“Basha do duhet të fitojë besimin e 18 kolegëve, vota e 19 pro tij do të jetë e Gazment Bardhit.
Unë kam ftuar të gjithë deputetët e PD-së, Aleanca për Ndryshim, me vullnetin e mirë për të përcaktuar agjendën e përbashkët parlamentare. Të gjithë bashkë si deputetë të opozitës”.

Dy ditë më herët ai theksoi se mbledhja do të tregojë se “asgjë nuk duhet të na pengojë për t’u bashkuar dhe për të unifikuar qëndrimin dhe aksionin opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës”.

Sipas tij, opozita shqiptare ka përballë një “qeverisje të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ka minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes metodave të kundërligjshme”.

“Lufta e brendshme në Partinë Demokratike e ka dobësuar opozitën dhe shpesh e ka shfokusuar nga misioni i saj, duke i krijuar një komoditet të pashoq e tërësisht të pamerituar Edi Ramës në mandatin e tij të 3 radhazi, ku sundon keqqeverisja, arroganca dhe korrupsioni”.

Për Bardhin, kjo situatë dikton nevojën që, në mënyrë urgjente, “secili prej nesh, deputetëve të opozitës, të tejkalojë vetveten për të ofruar dhe për të gjetur zgjidhje në interes të përbashkët të të gjithë opozitarëve dhe çdo qytetari që kërkon ndryshimin e qeverisjes”.