Politika Bardhi i përgjigjet Nokës: Mjaft me histori pengjesh. Berisha nuk i ka...

Bardhi i përgjigjet Nokës: Mjaft me histori pengjesh. Berisha nuk i ka firmat për Kuvendin Kombëtar

Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, në një konferencë për shtyp u kundërpërgjigj ndaj Flamur Nokës, i cili më parë e kishte cilësuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, si “pengkryetar”.

“Historitë me pengje dhe pengmarrje do të duhet t’i bëjnë me seriozitet sepse po i flasin demokratëve në një moment të vështirë për ta. Ne e kemi për detyrim që të respektojmë sakrificën e tyre. Hallet e tyre personale t’i mbajnë larg selisë së partisë dhe mbështetësve”, deklaroi Bardhi.

Në lidhje me 4200 firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Bardhi u shpreh: “Nëse i kanë firmat, t’i depozitojnë në protokollin e Partisë Demokratike. Por, jeni vetë dëshmitarë, që deri në këto moment, në zyrën e protokollit nuk ka asnjë firmë të depozituar. Firmat nuk sillen me kuti të mbyllura dhe të thuhet “futini në kasafortë” në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar (Edi Paloka). Kryetari i Këshillit nuk ka zyrë, nuk ka as administratë dhe as staf për të kryer procese. Tani po na thuhet që të hyjmë te kasaforta e zotit Paloka për të parë janë apo nuk janë firmat”.

Duke ripërsëritur se bëhet fjalë për blof, Bardhi tha se nuk është arritur të sigurohet ¼ e firmave, të nevojshme për mbledhjen e Kuvendit.

“Ajo që është bërë këto kohë ka qenë një blof i madh, një kakofoni shifrash, tallje me demokratët sepse nuk u arrit që pas dy muajsh konktaktime me demokratët të siguroheshin ¼ e firmave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që të mundësonin nisjen e procedurës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Berisha ka një çështje të tij që duhet ta shtrojë për diskutim. Bëhet show dhe tallje për demokratët dhe u themi atyre firmat i kemi, madje edhe shumicën, por nuk i kemi, madje i mbyllim në kasafortë. Nëse i kanë, i ftoj ti depozitojnë në protokollin e PD.

Nuk jemi institucion në ilegalitet nuk kemi asnjë hall me ligjin. Halli i PD janë hallet e demokratëve. I vetmi hall i demokratëve në këtë moment është largimi i regjimit të Edi Ramës. Rikonfirmoj për çdo anëtar të Kuvendit Kombëtar të PD që jo vetëm që nuk janë depozituar ¼ e firmave, por në momentin që flasim nuk ka një firmë të depozituar. Nuk e kuptoj ku qëndron problemi i mosdepozitimit, ose më saktë bëj sikur nuk kuptoj”.