Gazment Bardhi ka ironizuar Lulzim Bashën pasi ky i fundit njoftoi se është kreu i grupit parlamenta të PD.
Pas përfundimit të seancës së parë parlamentare, Bardhi, në një prononcim për gazetarët, u shpreh me ironi kur tha se do të vijë dita që Lulzim Basha të vetëshpallet edhe mbret i Anglisë.
“A e kuptoni ju se në çfarë situata është vënë kryetarja e kuvendit, thotë do caktojë administrata e Kuvendit kush është kryetari i grupit të PD, grupit më të madh të opozitës. E kupton në çfarë limitesh absurditeti është ky lloj bashkëveprimi qesharak midis kryetares së kuvendit dhe dikujt që pasi u vetëshpall kryetar partie, u vetëshpall kryetar grupi. Mos u çudisni, do vetëshpallet mbret i Anglisë shumë shpejt. Ju garantoj për këtë. Se vetëshpallja është në modë këtë periudhë dhe do shikoni çudira në ditët në vijim. Mos u habisni të thotë jam edhe Kryeministër, të sillet si Kryeministër. Nuk do jetë fare çudi që të arrijmë në këtë ditë”, deklaroi ndër të tjera Bardhi.