Politika Bardhi konfirmon pjesëmarrjen në protestën e 11 shkurtit: Të gjithë do të...

Bardhi konfirmon pjesëmarrjen në protestën e 11 shkurtit: Të gjithë do të marrin pjesë, betejën e kemi me Ramën

Gazment Bardhi i Partisë Demokratike ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën e thirrur nga opozita në 11 Shkurt teksa ka thënë gjithashtu se edhe kolegët e tjerë të grupit parlamentar do të marrin pjesë.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Bardhi ka theksuar se betejën e kanë me kundërshtarin politik, me kryeministrin Rama, ndërsa është shprehur se ekziston edhe një betejë e brendshme në PD, por ka deklaruar se fokusi i të gjithëve është Rama.

Blendi Fevziu: Bardhi do të shkosh në protestë?

Gazment Bardhi: E kam bërë publike tashmë, që po, do të shkoj në protestë duke e mbështetur atë si një reagim qytetar ndaj një skandali që ka përfshirë kryeministrin dhe që ka tejkaluar zhvillimet brenda Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Do të shkoni në protestë si deputet i PD-së, jo si qytetar…

Gazment Bardhi: Nuk zhvishem dot nga statusi politik që kam edhe nëse do të doja.

Blendi Fevziu: Është vendim personal i yti apo edhe i grupit të njerëzve…?

Gazment Bardhi: I konsultuar me të gjithë kolegët brenda grupit parlamentar.

Blendi Fevziu: Të gjithë kolegët brenda grupit parlamentar do të marrin pjesë në këtë protestë?

Gazment Bardhi: Po. Nuk kemi patur asnjë arsye për të qenë të ndarë në betejën që kemi me të vetmin kundërshtar politik që është Edi Rama. Kemi një betejë të brendshme, por kur bëhet fjalë për betejën me kundërshtarin politik, fokusi jonë do të jetë i përbashkët pavarësisht se si mendojmë mbi zhvillimet brenda Partisë Demokratike. Ne kemi një betejë të brendshme që vijon, shkaqet që na ndajnë janë publike. Nuk ka një ndryshim qëndrimi në raport me ato çështje. Unë kam gjykuar dhe gjykoj se edhe përsa i përket betejës së ardhshme, nuk e kemi gjetur sepse duhet vullnet i përbashkët.

Nuk bëhet fjalë për inatin as 25 apo 50 vetash, bëhet fjalë për çështje parimore. Ka patur disa hapa që synonin zgjidhjen e konfliktit, duke nisur me dorëheqjen e ish-kryetarit të partisë, Basha. Ka pasur disa hapa konkretë për të arritur drejt një unifikimi. Ka patur një proces negocimi. Unë kam bërë një propozim se si mund të arrihej unifikimi me një kandidat, nuk u pranua. Ka patur përpjekje për të arritur unifikimin e opozitës në zgjedhje. Është fakt që gjykata ka një vit që e zvarrit këtë çështje. Çështja është e zgjidhur, edhe qëndrimin e komisionerit nuk e kuptova pse e ka shtyrë regjistrimin e anëtarëve të KZAZ. Celibashi ka synuar t’i nxisë palët drejt një zgjidhje. Deri tani nuk ka pasur asnjë vullnet nga pala tjetër për të arritur një formulë paqtimi përsa i përket zgjedhjeve vendore.