Gazment Bardhi, nuk ka ndalur akuzat ndaj Lulzim Bashës, me të cilin sot pati akuza të ndërsjellta në Parlament.
Në një prononcim për gazetarët, Bardhi foli me konkretisht sa i përket kullës më të shtrenjtë në Tiranë, sipas tij, që akuzon Lulzim Bashën se ka marrë dy kate.
“Situata si kjo e sotmja e provokuar tërësisht nga Basha janë të përsëritura sa herë mazhoranca është në vështirësi. Edhe sot ku Edi Rama duhej të mbahej përgjegjës për deklaratat skandaloze për Kosovën, vjen në Kuvend dhe ngre një shqetësim që është i tejkaluar për grupin parlamentar të PD. Basha e di shumë mirë si është rregullorja e parlamentit. Po ka interes që sa herë mazhorancës i duhet për të zhvendosur vëmendjen, të vijë në Kuvend dhe të ngrejë të njëjtën çështje. Sa herë do hedhë fjali në ajër do duhet të ballafaqohet me të vërtetën. Në 2021 demokratët luftonin për të bërë z. Basha kryeministër, ndërkohë që Basha një muaj pasi humbi zgjedhjet i fut një kontratë me porosi për dy kate në kullën më të shtrenjtë të Tiranës, në hyrje të liqenit, dhe pasi rikthehet me vetëshpallje kryetar partie, në vend që të merret me opozitë më shumë kohë kalon në zyrën e arkitekturës për mobilimin e apartamenteve. Herë tjetër të bëjë llogari mirë kur hedh fjali pa lidhje në kuvend. Unë nuk jam përfaqësuesi i asnjë aleance. Jam përfaqësues i qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Nuk jam avokat i askujt”.
Bardhi përmendi edhe një episod që sipas tij, Lulzim Basha ka shkuar në garazhin e pronarit të kullës 64 kate për t’i kërkuar falje.
“Sa i takon kullës 64 kate, nuk kam shkuar unë në garazhet e apartamentit të pronarit të kullës për t’i kërkuar ndjesë, ka shkuar z.Basha në garazhin e apartamentit ku banon pronari i kullës 64 kate për t’i kërkuar ndjesë. Dhe kur të dalë këtu mos të shtiret. Transaksionet nuk janë transparente dhe nëse unë kam shpifur e sfidoj të më çojë në gjykatë. Vetëm të mos e bëjë si e bëri me Erion Veliajn që harroi të shkonte. Familjarët e z. Basha janë e vetmja aleancë me kullat. sa kohë sot janë pronarë të 2 kateve në kullën më të shtrenjtë të Tiranës. Unë kam aleancë vetëm me qytetarët e ndershëm, nuk kam betejë me z.Basha. Por nëse z.Basha ka betejë me mua, do duhet të marrë përgjigjen e merituar dhe do duhet të përballet me të vërtetat e veta”, tha Bardhi.