Në pak ditë, pritet që të nisen nga Singapori drejt Shqipërisë dy anije ku janë ngarkuar 816 ton mbetje të rrezikshme në formë pluhuri. Anijet dolën nga porti i Durrësit dhe u refuzuan në Tajlandë, pasi autoritetet atje mësuan se bëhej fjalë për lëndë të dëmshme për mjedisin.
Qeveria shqiptare tha se lënda kishte dalë nga furrat e Kurum ku përpunohen metale, por sot kjo kompani e mohoi këtë fakt.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se skandali cënon sigurinë kombëtare dhe qeveria duhet të japë një sqarim shterues për këtë çështje.
“Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit. Heshtja, dezinformimi apo tentativa për manipulim shton edhe më shumë pasigurinë për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha dyshimet për një aktivitet kriminal me leje shtetërore, që rrezikon sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar”, ka shkruar ndwr tw tjera Bardhi në rrjetet sociale.