Politika Bardhi përplaset me ministrin e Brendshëm: Yt vëlla do të marrë në...

Bardhi përplaset me ministrin e Brendshëm: Yt vëlla do të marrë në qafë veten dhe Ballukun! Begaj të mos shitet për dy leje ndërtimi

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është përplasur në Kuvend me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha.

Teksa ministri i Brendshëm e quajti Gazment Bardhin “një gënjeshtar përsëritës”, kreu i Grupit të PD-së iu drejtua duke thënë që “yt vëlla do të marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun”.

“Do ta mësosh shumë shpejt pse po ta them këtë”, tha Bardhi, duke hedhur akuza se vëllai i ministrit “është një hajdut atje në OSHEE, që vjedh paratë e qytetarëve dhe energjisë”.

Ervin Hoxha: Më dëgjo një sekondë, i nderuar deputet në pikëpamjen e analizës psikokriminale që unë kam për shkak të detyrës, tek njerëzit recidivist, përsëritës gënjeshtar.

E dyta që t’i gënjen, akuzon dhe u beson atyre që akuzon kjo është shumë e vërtetë. Policia bëri detyrën, nuk ka hyrë në Kuvend, turma që drejtohet nga ty po sillet drejt institucioneve kushtetuese. Policia mbrojti Kuvendin.

Gazment Bardhi: Së pari, turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty duke përfshirë dhe tët vëlla që do të marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun, bashkë me të. Do ta mësosh shumë shpejt pse po ta them këtë.

Është një hajdut atje në OSHEE, që vjedh paratë e qytetarëve dhe energjisë. Ju jeni tufë, jo deputetët e opozitës.

Bardhi sulmoi dhe presidentin Bajram Begaj.

Gazment Bardhi: Meqë na bërë ti zonjë thirrje për të respektuar shkëlqesinë e tij Bajram Begajn, po tha them që presidenti i Republikës nuk gëzon asnjë respekt nga opozita për aq kohë sa sillet si ushtar i kryeministrit.

Së pari, të ndalë përfshirjen e ambasadorëve në fushatë zgjedhore të PS. Edhe në Selanik, ambasadorja shqiptare ishte në një aktivitet ku kryeministri fyente opozitën dhe kërkonte vota për PS. E kanë të ndaluar me ligj.

Së dyti, vetë presidenti kur shkon vizita qark më qark nuk duhet të ketë në krah vetëm përfaqësues të krimit të organizuar që në këtë rast janë përfaqësues të PS. Është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.

Presidenti të qëndrojë larg fushatës zgjedhore, e të mos shitet për dy leje ndërtimi për të ndërtuar dy vila për dy djemtë e tij. Se Edi Rama ia jep, opozita ia nxjerr nga hundët.