Pas vendimit për përjashtimin me dy muaj të tre deputetëve demokratë dhe me nga 40 ditë për 20 deputetë të tjerë ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, në një postim në rrjetin social X, Bardhi shprehet përjashtimi i opozitës tregon frikën e Ramës nga opozita.
“Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova. Përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama! Përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit! Asaj salle krimi i ke vënë zjarrin! Fshihu e shmangu sa të duash, përjashto, burgos e përndjek sa të duash, fatin tënd nuk e ndryshon dot! Atë ta ka përcaktuar shumica dërrmuese e shqiptarëve që përbuzin ngritjen e krimit të organizuar në qeverisje dhe shndërrimin e institucioneve në banda kundër opozitës”, shkruan Bardhi.
Sekretariati i Etikës ka përjashtuar sot për 60 ditë nga parlamenti deputetët e Partisë Demokratike; Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati. Për deputetin Edi Paloka kjo masë ndëshkimore është për 10 ditë, ndërsa 20 të tjerët janë përjashtuar me 40 ditë.