Mbledhja e përbashkët e 43 deputetëve të opozitës në takimin e thirrur nga Gazment Bardhi për të qenë të unifikuar në Parlament, ka dalë me dy vendime.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, zbuloi se çfarë u diskutua dhe çfarë u vendos në këtë mbledhje.
Vendimi i parë që u mor, sipas Bardhit, është rikthimi i vëmendjes te Komisioni i Reformës Zgjedhore.
“Sot në takimin me 43 deputetë të Partisë Demokratike, aleancës për ndryshim, kemi caktuar një pjesë të axhendës parlamentare.
Së pari, prioritet i punës së deputetëve të do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, çuarja përpara e Reformës Zgjedhore e cila për fat të keq është bllokuar prej 2 vitesh, është vendosur si prioritet i punës së gjithë deputetëve të opozitës duke rikonceptuar Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe detyrat që do duhet të përmbushë me afate dhe përgjegjësi të qarta ky komision. Pasi kemi analizuar produktin e deritanishëm të Komisionit të Reformës Zgjedhore na rezulton që nuk ka patur asnjë produkt, janë zhvilluar 1 apo 2 mbledhje gjithsej dhe nuk mund të vazhdohet më kështu”.
Ndërsa vendimi i dytë që u mor është kërkesa e opozitës për ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare.
“Së dyti, kjo opozita ka përballë qeverinë më të korruptuar në historinë 32-vjeçare të vendit. Çdo ditë përballemi me skandale të kësaj qeverie. Për këtë arsye kemi vendosur ngritjen e 3 komisioneve hetimore. Së pari për koncesionet, PPP-të dhe problematikat në shëndetësi. Komisioni hetimor që do kërkojë opozita do synojë të ndihmojë edhe punën e organit të prokurorisë. Çështja e dytë ka të bëjë me të dhënat personale të qytetarëve, abuzimi me patronazhistët apo skandali më i fundit i ngritur edhe nga SHBA lidhur me dyshime serioze për ndërhyrjë në sistemin TIMS kanë vendosur si prioritet nr.2 ngritjen e një komisioni hetimor. Dhe së treti njihemi çdo ditë se si zyrtarë publik në kushtet e konfliktit të interesit marrin vendime për të pasuruar miqtë, shokët me fonde publike, prandaj një tjetër komision.
Këto ishin 2 shtyllat kryesore të diskutimeve në këtë takim. Ka patur edhe diskutime të tjetra. E shikoj takimin e sotëm si një takim të vonuar dhe si një mundësi e humbur gjatë këtyre 2 viteve.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Bardhi ka deklaruar se ftesa e tij për Lulzim Bashën dhe për çdo opozitar tjetër është që t’i rikthehet misionit të tij si opozitar, teksa ka apeluar që cilido të reflektojë për momentin në të cilin ndodhet Partia Demokratike.
“Nga sot, do të kenë në Parlament një qëndrim të unifikuar. Ftesa ime për Bashën dhe cilindo tjetër është që t’i rikthehet misionit si opozitar. Apeli im është që cilido të reflektojë për momentin në të cilin ndodhet opozita. Ndasitë apo qëndrimet e ndryshme për çështje të ndryshme, secili deputet është në lirinë e tij. Kundër kundërshtarit tonë të përbashkët, ne të mos kemi diferenca. Të përqëndrohemi sot tek kjo mbledhje e rëndësishme e opozitës. Mesazhi sot që duhet t’i përcjellim qytetarëve është që po, opozita nga sot ka një axhendë të unfikuar kundër qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës. Sot nuk është përmendur asnjë emër përveç kundërshtarit tonë, Ramës. Kemi ndërtuar axhendën tonë të përbashkët parlamentare dhe asnjë individ nuk ka asnjë mundësi që të pengojë opozitën që të bëhet funksionale. Kjo mbledhje kishte vetëm një mesazh: Opozita parlamentare është bërë bashkë për të ndërtuar një axhendë të unifikuar”.
I pyetur nga gazetarët nëse do të zhvillohen sërish takime të përbashkëta mes deputetëve të opozitës, Bardhi dha këtë përgjigje: “Po, do të ketë takime të përjavshme në këtë format, është javën e ardhshme përpara seancës plenare. Për një pjesë të vogël të kolegëve që nuk u bënë sot pjesë, kjo është tryezë e çdo deputeti të opozitës dhe nuk duhet të mbajë larg asnjë deputet”.