“Nicolo Barella është mesfushori më premtues italian”. Ka mjaftuar kjo fjali e Roberto Mancinit për të treguar se çfarë goditje ka bërë Interi me mesfushorin e ardhur nga Cagliari gjatë verës për 35 milionë euro. Një goditje e rëndësishme për trajnerin Antonio Conte.
Pikërisht mesfushori italian, që gjeti golin e tij të parë zikaltër në sfidën e luajtur ndaj Veronas në fitoren 2-1, u rrëfye për DAZN përpara Torino-Inter, duke u shprehur: “Jam i lumtur që ndodhem te Interi. Ka gjithçka këtu për një super sezon. Kemi trajnerin më të mirë në botë, lojtarë të mëdhenj dhe një grup solid. Kur u largova nga Cagliari mund të shkoja diku tjetër ku do të kisha fituar shumë para por doja një projekt që bënte për mua dhe që me jepte lumturi. Kështu, zgjodha Interin!”.
Pas golit ndaj Veronas, Barella tregoi edhe një anekdotë: “Conte erdhi në dhomat e zhveshjes dhe më shau teksa qeshte! Veç kësaj, u mërzit me mua sepse nuk kisha veshur xhupin pasi mund të ftohesha… Nuk mbaj mend atë natë se sa elozhe mora”.