Transporti detar i mallrave në portet shqiptare nisi me barkat dhe anijet e para në kapërcyellin e shekujve XIX dhe XX.
Autoriteti Portual Durrës ka publikuar disa fotografi të vëna në dispozicion kryesisht nga Shoqata mbarëkombëtare e detarëve “Adrijon”, ku pasqyrohet lundrimi i barkave të para në det dhe në lumenj pranë porteve të ndryshëm në Durrës, Vlorë, Shëngjin, etj.
Shumë prej tyre dëshmojnë kontributin e madh të detarëve ulqinakë, të cilët u transferuan së bashku me anijet që kishin në pronësi nga qyteti i tyre drejt qyteteve tonë bregdetarë.
Sipas APD-së, qyteti i Durrësit dhe ai i Ulqinit vazhdojnë të ruajnë një marrëdhënie të ngushtë tradicionale mes tyre, duke organizuar veprimtari të përbashkëta kulturore.
Të shumta janë edhe ekspozitat fotografike që evokojnë këtë periudhë, si dhe sjellin modele të anijeve të hershme, punuar nga mjeshtrat tanë.