Një javë më parë në Kolumbi u arrestua shqiptari Agim Çerma, i cili drejtonte një kartel që trafikonte kokainë në Europë. Mediat vendase, konkretisht gazeta “EL HERALDO”, ka zbardhur detaje të reja se si shqiptari i njohur dhe me emrin “Xhimi”, u fshihej autoriteteve dhe teknikat që ai përdorte për të mos lënë gjurmë.
Kjo gazetë raporton se Agim Çerma jetonte në qytetin Barranquilla. Aty kishte mbërritur në vitin 2014 së bashku me gruan dhe djalin e bashkëshortes. Në këtë qytet ai kishte marrë një shtëpi me qira. Nuk kishte celular dhe as makinë, por përdorte transportin publik dhe udhëtonte me linjat ajrore.
Dhe sipas autoriteteve kolumbiane, për 7 vjet Agim Çerma kishte zgjedhur këtë mënyrë jetese për të mos u zbuluar se kush ishte ai në të vërtetë.
Shqiptari ishte lideri i grupit kriminal me 5 anëtarë të përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine. Xhimi kishte trafikuar në Europë sasi të mëdha droge. Ai kishte lidhje me kartelin kolumbian ‘Clan del Golfo’ në këtë aktivitetet kriminal. Kokainën e trafikonte përmes fluturimeve me avionë charter, dhe për këtë, ka paguar shuma të mëdha ryshfeti tek zyrtarë të caktuar në Kolumbi, me qëllim shmangien e kontrolleve.
Hetuesit kanë thënë se Agim Çerma përdorte aeroportin ndërkombëtar “Alfonso Bonilla Aragon” në komunën Palmira për të kryer fluturimet charter të ngarkesave me kokainë. 4 anëtarët e tjerë të grupit që ai drejtonte, u bënë njerëzit e besuar të shqiptarit dhe kishin secili detyra specifike. Por DEA amerikane arriti të zbulonte këtë grup kriminal të drejtuar nga Agim Çerma, linjat e trafikut dhe metodologjinë si funksiononte.
Shqiptari u arrestua në qytetin Monteria gjatë aksionit nga DEA amerikane dhe autoritetet kolumbiane. Në atë moment ai ishte duke udhëtuar në rrugë tokësore nga Barranquilla drejt Uraba, ku dyshohet se do të takonte anëtarë të kartelit ‘Clan del Golfo’ në lidhje me një ngarkesë kokaine për ta trafikuar përmes skafeve nga deti. Informatorët e policisë treguan se droga do të nisej nga fshatrat Zapata dhe Uveros.
“Ai fjeti në një hotel modest në Monteria dhe do të udhëtonte me transport publik në Apartado. Në mëngjes u kap nga agjentët në terminalin e transportit të qytetit Monteria”, tha një burim për gazetën “El Heraldo”.
Agim Çerma, që njihet dhe me pseudonimin Xhimi, u arrestua në Kolumbi me qëllim ekstradimin për llogari të autoriteteve amerikane. Ai është person i dënuar edhe në Shqipëri për një vrasje, si dhe ka precedent penal në Holandë për trafik droge.
Gjatë operacionit për kapjen e tij dhe të 4 anëtarëve të tjerë të bandës, DEA sekuestroi 300 kg kokainë dhe 524 mijë dollarë cash.