Politika Basha: 1/3 e karburanteve në Shqipëri hyn kontrabandë

Basha: 1/3 e karburanteve në Shqipëri hyn kontrabandë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se së shpejti do të bëjë një kallëzim në SPAK lidhur me kontrabandën me karburantet. Sipas kreut të PD-së rreth 30% e importit të karburanteve në vendin tonë futet kontrabandë duke iu shmangur taksave. Më tej Basha theksoi se ky problem është diskutuar edhe në mbledhjen e qeverisë ditën e sotme por sipas tij në mbledhje ra heshtja.

“Siç është bërë e qartë edhe sot në mbledhjen nga e cila doli Edi Rama sipas burimeve të besueshme rezulton se 30% e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë. 30% hyn kontrabandë dhe këtu humb shteti, në fakt humbin qytetarët se shteti ato para duhet tua kthejë qytetarëve.

Dhe ky ka qenë një moment qetësie apo heshtje e madhe nga pjesëmarrësit në atë mbledhje se të gjithë e dinë që është fakt, pyetja është pse ndodh kjo?”, u shpreh Basha.

Lideri i PD paralajmëroi se po përgatitet një kallëzim penal për këtë çështje dhe ironizoi me SPAK kur tha se “shpreson” që dosja që do dorëzojë PD të mos përfundojë “te salloni i korrupsionit as te frigoriferi i vonesave”.

“Qindra milionë euro që nuk përfundojnë në para në buxhetin e shtetit e nuk përkthehen në ndihmë por zhduken, ku shkojnë këto para? Çdo shqiptar e di ku shkojnë këto para. Po ju njoftoj se prej dje PD ka nisur hartimin e një kallëzimi penal që do e depozitojë në SPAK me shpresën urimin dhe lutjen që mos të përfundojë as te dhoma e pluhurave as te salloni i korrupsionit as te frigoriferi i vonesave”.