Në një takim elektoral me të rinjtë e zonës së Unazës së Re në Tiranë, Lulzim Basha sulmoi dy kartat më të forta të Edi Ramës: rindërtimin dhe vaksinimin.
Basha premtoi se nën qeverisjen e tij, programi i rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të përshpejtohet: “Rama i la dy dimra rresht familjet në mëshirën e fatit”.
Për vaksinimin, kryedemokrati akuzoi kryeministrin se po bën fushatë me shëndetin e shqiptarëve: “Mungesa e transparencës karakterizon edhe procesin e vaksinimit, të cilin e ka kapur dhe nuk e lëshon, sepse është e vetmja gjë që i ka mbetur. Bashkëpunimi i qeverisë sime me Evropën dhe SHBA-në do të bëjë realitet arritjen e një standardi perëndimor në vaksinimin e popullsisë brenda një kohe rekord”.
“Mafia po devijon Lanën”
Basha u takua edhe me banorët që preken nga devijimi i shtratit të Lumit Lana, ku premtoi dëmshpërblimin sipas çmimit të tregut për çdo familje.
“Nuk do të kenë kohë të vazhdojnë me paudhësitë e tyre. Njëra prej të cilave është gjëja më e pamenduar ndonjëherë që duan të zhvendosin shtratin e lumit sepse pushtetarët dhe mafiozët janë bërë bashkë për të grabitur pronat.
Do t’i qëndroj pikë për pikë marrëveshjes me të gjitha familjet e cënuara nga afera korruptive e Unazës së Re.
Paratë që do t’ju paguhen me vlerën e tregut për pronat e prishura me padrejtësi, ne një nga ligjet e para që do të kalojmë është që këto para do t’i nxjerrim nga çdo pasuri e pushtetarëve që shkaktuan këto dëme.
Ndaj, ju ftoj që çdo çast deri më 25 prill ta bëjmë përmasën e bashkimit tonë më të madhin ndonjëherë që ka parë Shqipëria”, tha Basha.