Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur akuza kundër qeverisë lidhur me projekt-buxhetin e vitit 2022. Në fjalën e tij në Kuvend, Basha u shpreh se qeveria po dëmton prodhimin vendas dhe po nxit rritjen e çmimeve duke penalizuar familjet shqiptare.
“Kjo nuk është çështje buxheti, por mentaliteti. Dhe mentaliteti juaj, duket edhe njëherë në këtë buxhet, që përveç taksave dhe akcizave që rriten dhe shtohen, shfaq dukshëm tahmanë për të mbrojtur status quo-në dhe interesat e një pakice, që pengon zhvillimin, që dëmton prodhimin vendas, që ka nxitur dhe do vazhdojë të nxisë një rritje të mëtejshme çmimesh nga e cila penalizohen të gjitha familjet shqiptare.
Mirëpo Shqipëria ndodhet përballë sfidave të mëdha dhe ka nevojë për zgjidhje po aq të mëdha. Që ju nuk i jepni dot. Sepse ndërkohë që ju majmeni e krenoheni majë plehut, vendi po plaket me shpejtësi marramendëse. Rritja e numrit të të moshuarve po shoqërohet me emigrimin e familjeve të reja dhe me normat më të ulëta të lindshmërisë në vend”, tha kreu i PD.