Në një takim me të rinj në zonën e Farkës në kryeqytet kreu demokrat Lulzim Basha, teksa u shpjegoi programin e Partisë Demokratike, ai tha se anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe ndalimi i emigrimit të rinjve është prioriteti i tij i parë
“Kanë qenë 8 vite të tmerrshme për rininë shqiptare. Natyrisht edhe për familjet tuaja, largimi masiv i shokëve dhe i shoqeve tuaja në emigracion e provon këtë. A ka plagë më të madhe për ju?! Prindërit e atyre që nuk i kemi më mes nesh? A ka detyrë më të rëndësishme për kryeministrin e ardhshëm sesa ta ndalë këtë plagë?! Kjo plagë nuk ndalet me llafe, nuk ndalet me premtime boshe nga ato që kemi dëgjuar gjatë këtyre 8 viteve. Kjo plagë ndalet duke marrë veprime të vendosura siç do të jetë vendimi im i parë për të anuluar ligjin për arsimin e lartë dhe për të kthyer universitetet shqiptare në qendra të trajnimit dual, ku mos të ketë bijë dhe bir shqiptari që të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes së vet. Me këto masa, do të mundësoj që çdo i ri, çdo e re që dëshiron të ndjekë universitetin dhe të marrë një profesion, t’i mundësohet kjo dhe jo thjesht një diplomë por një profesion”.
Kreu i opozitës shpjegoi edhe mënyrë e trajnimit DUAL, e cila do t’u mundësojë studentëve stazhe të paguara nga shteti dhe krijimin e lidhjes me tregun e punës me paga dinjitoze.
“Ne do të synojmë që brenda një kohe të shkurtër gjysma e kohës së studimeve të jetë de facto, faktikisht, praktikë. Nuk ka rëndësi nëse po studion juridik apo ekonomi, shëndetësi apo inxhinieri, gjysma e kohës do të jetë praktikë dhe në fund të studimeve për 10 mijë më të mirët do të ketë një stazh 12 mujor me një pagesë minimale 30 mijë lekë të vjetra në muaj që të mundësojë që ju të shkoni nga auditori te tregu i punës me një udhërrëfim, me një hartë rruge, siç është stazhi, siç është praktika. Dhe ne e dimë se kur ndodhë kjo 9 në 10 studentë të sapo diplomuar gjejnë vendin e punës. Kam folur për këtë gjerësisht këtë mëngjes me më të mirët në botë që janë gjermanët. Janë ata që futën praktikën e trajnimit DUAL i thonë, gjysmë teori, gjysmë praktikë dhe kam garancinë dhe mbështetjen e një prej organizatave më të fuqishme që do të na mbështesin pas zgjedhjeve”.