Lulzim Basha thotë se beteja e Partisë Demokratike nuk është me Partinë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë.
“Beteja jonë dhe e shoqërisë shqiptare nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë. Shqiptarët ia dinë dështimet, raportet ndërkombëtare ia kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë. Përballë këtij regjimi, kemi detyrën qytetare të bashkohemi dhe të punojmë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Platforma qytetare për demokracinë do të bëjë bashkë të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë që e duan ndryshimin dhe janë të vendosura të shpëtojnë vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij”.
Reagimi i Bashës erdhi pas fjalës që Kryeministri Edi Rama mbajti me deputetët e rinj e të vjetër socialistë, të cilëve ndër të tjera u tha: “Dora jonë e bashkëpunimit me PD do të jetë e shtrirë pa kushte, pavarësisht nga sjellja, retorika apo nga veprimet e rivalëve tanë.… Ne nuk e kemi pasur kohësh dhe pavarësisht se kemi lënë një përshtypje shpesh herë të ndryshme, ne nuk duhet ta kemi në asnjë mënyrë përgjatë këtij mandati, luftën tonë me PD. Luftën tonë ne e kemi me problemet e vendit dhe me hallet e shqiptarëve, ndërsa me opozitën kemi vetëm betejën politike, të cilën nuk do e lëmë pa bërë, por do ta bëjmë me një qasje dhe cilësi të re. Kemi gjithë eksperiencën e nevojshme tanimë për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik”.