Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar sot në Selenicë me strukturat partiake në këtë bashki, e cila drejtohet nga Përparim Shaneti i Partisë Demokratike.
Duke e konsideruar të pavlefshëm, antikushtetues dhe antiligjor farsën e 30 Qershorit, kreu i opozitës tha se “Kryetari legjitim i Bashkisë së Selenicës është Përparim Shameti dhe ai do të jetë në këtë pozicion derisa në vend të mbahen zgjedhje të rregullta e demokratike, në të cilat ai do të rikonfirmohet si kryebashkiak i Selenicës”.
Kreu i opozitës tha se demokratët duhet t’i shërbejnë mesazhit më të madh që dha 30 Qershori: “85 përqind e shqiptarëve refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe duan ndryshimin. “Ata duan jo thjesht të ikë një parti dhe të vijë një tjetër, por duan ndryshimin e vërtetë, që i jep fund tranzicionit 30 vjeçar”- tha kreu i opozitës. “Ne nuk jemi në betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik, për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë”
Në Selenicë, lideri i opozitës vuri në dukje rëndësinë jetike për të qenë pranë qytetarëve në çdo kohë, në mënyrë që Partia Demorkatike të fitojë besimin e sa më shumë votuesve që refuzuan regjimin e Edi Ramës në 30 Qershor. Basha theksoi se fokusi kryesor duhet të jetë tek biznesi i vogël për t’i shpjeguar atij ndryshimin që vjen me qeverisjen e vendit nga PD për ringritjen e tyre përmes uljes së taksave dhe sjelljes së administratës tatimore.
Basha solli në vëmendje propozimet kryesore konkrete të paketës së PD për biznesin e vogël:
- “Klasifikim si biznes i vogël për xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit,
- 0.5% taksë e xhiros vjetore si e vetmja taksë për biznesin e vogël
- Ulje e çmimin të naftës me 300 lekë për litër,
- Ulje deri në 20% e çmimit të energjisë”.