Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se pas takimeve që pati me bizneset në Tiranë fjalia që dëgjonte më së shumti ishte “po falimentojmë”.
Kryedemokrati doli sot në terren, ku u takua me biznese të vogla në njësinë 3 në Tiranë, por edhe me qytetarët.
“Gjendja e bizneseve bëhet çdo ditë e më keq. Nuk ka xhiro, nuk ka konsum, nuk ka parà, sepse kjo qeveri nuk i ka në llogari ata që punojnë me ndershmëri”, tha Basha.
Ai theksoi se gjendja është kudo njësoj, si në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Korçë. Sipas tij, në çdo cep të Shqipërisë bizneset po mbyllen, papunësia po rritet dhe numri i familjeve në varfëri është shtuar.
“Biznesi dhe ekonomia nuk mbahen dot në këmbë as me urdhrat e facebook-ut të Edi Ramës, as me gënjeshtrat e tij. Paketa e parë ishte një gënjeshtër. Një ndihmë qesharake, që nuk mbulon as taksat apo tarifat e rritura lokale, as faturat e larta afrofe të energjisë dhe të ujit. Paketa e dytë ishte gjithashtu një gënjeshtër, më pak se rroga minimale për 2 muaj e gjysëm mbyllje e detyruar e biznesit dhe bashkë me të, mbyllja e vendit të punës”, tha Basha.
Kreu i opozitës tha se sot qytetarët e kanë kuptuar se kjo qeveri dhe ky kryeministër është e keqja e vendit, e keqja e ekonomisë, është barra më e rëndë për ta.