Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kundërshtuar buxhetin e prezantuar nga qeveria për vitin 2022. Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i PD u shpreh se buxheti është vendosur në funksion të klientëve të qeverisë dhe jo për qytetarët e thjeshtë.
“Nuk duhet të jesh ekonomist, apo ekspert financash, që të kuptosh se si në traditën tuaj më të keqe, këmbëngulni në mënyrë tinëzare ta vendosni buxhetin e shtetit në funksion të klientëve të qeverisë, nëpërmjet PPP-ve, që përsëri bëjnë motin e mirë e të keq në ekonominë shqiptare, ndërkohë gjithçka tjetër është një përpjekje për të gënjyer me indeksime vrapin e pandalshëm të çmimeve.
Të çmimeve që vrapojnë dhe parakalojnë gjasme-indeksimin e vobektë e rrogave dhe pensioneve. E ndërkohë, për këtë valë të madhe të njerëzve të zhytur në varfëri dy vitet e fundit, që i shtohet atyre që nuk e kanë kërkuar shpëtimin nga mjerimi nëpërmjet largimit nga vendi, nuk ka asnjë plan nga ju.
Pasi deri më tani plani kryesor që keni bërë të ditur është hapja e thesit për të dyshuarit e zakonshëm, oborrtarët e koncesioneve. Ndërsa radhët e gjatë të njerëzve në vështirësi ekonomike, që përballen me pamundësinë për të shtruar sofrën për veten dhe fëmijët e tyre. Të atyre që përditë shënojnë emrat në listat e pafundme të borxheve nëpër ushqimoret e Shqipërisë, mbeten të braktisurit e mëdhenj, sepse asgjë nuk është parashikuar për ta.
Sepse po menduat për ta, rrezikoni që vitin e ardhshëm të mos jepni dot 113 milionë euro për PPP-të e klientëve tuaj. Një shifër 5 herë më e lartë se fondi i parashikuar për indeksimin e pensioneve, ose 3 herë me e lartë se fondet vjetore që ndahen për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë”, u shpreh Basha.